Balancuesi është dashur patjetër të shfuqizohet për shkak se me të janë punësuar persona që nuk kanë shkuar në punë, ndërsa me këtë është shkatërruar edhe administratam, deklaroi deputetja e VMRO-DPMNE-së Eli Panova në emisionin Daily Click në TV21. Ajo thotë se është nënçmuese që të kërkohet përkatësia etnike e cilitdo kandidat gjatë punësimit në institucionet shtetërore, që sipas meritokracisë i ka plotësuar të gjitha kushtet për atë pozitë të caktuar të punës.
“Është nënçmuese për një njeri që të punojë në administratë, i cili me sistemin e meritokracisë ka përfunduar fakultet, është arsimuar siç duhet, në fund të ditës ka formuar familje, të ketë ekzistencë për familjen e tij, të kërkojmë përkatësi të caktuar etnike që të punësohet në një institucione të caktuar”, tha Eli Panova, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Sipas Panovës, Balancuesi e ka plotësuar qëllimin e vet, ndërsa gjatë viteve të fundit ka pasur edhe keqpërdorime të tij. Andaj është mirë që shfuqizohet, por shtoi se duhet gjetur mënyrë për të respektuar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në të ardhmen.
Nga ana tjetër, ish kryeministri, tani deputet i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në Daily Click tha se keqpërdorimet e Balancuesit ishin evidente.
“Të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë dhe kemi denoncuar. Maqedonas të deklarohet si turk, shqiptar të deklarohet si maqedonas, turk si maqedonas etj. që të plotësohet ajo kuotë dhe ne sollëm një gjë të rrezikshme në shtet që quhet profesionalizëm etnik, për shkak se nuk i zgjidhni njerëzit në bazë të performancave, në bazë të sistemit të meritokracisë, por në bazë të përkatësisë etnike, ku të gjitha kriteret e tjera në fakt nuk vlejnë”, deklaroi Dimitar Kovaçevski.
Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi kërkesën për deklarim të përkatësisë etnike, si pasojë edhe “Balancuesin”. Kjo vjen pas iniciativës së dorëzuar nga ana e Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit, pas ankesave të dorëzuara deri tek ata për keqpërdorim të përkatësisë etnike gjatë aplikimeve për punësim. Përfaqësimi i drejtë në institucionet ishte një nga postulatet kryesore kushtetuese pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit me të cilën i është dhënë fund konfliktit në 2001 ndërsa Balancuesi si vegël u vendos në 2016.
Burimi: tv21