A do të ketë ligj të ri që do ta zëvendësojë Balancuesin? Zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti dhe ministri për administratë publike Goran Minçev para opinionit dolën me qëndrime që hapin dyshime. Mexhiti thotë se për një ligj të këtillë ka pajtueshmëri brenda koalicionit qeveritar.
“Kemi marrëveshje politike që kjo të rregullohet me Ligj për përfaqësim të drejtë”, tha Izet Mexhiti, zv/kryeministri i parë.
Megjithatë, ditë më parë, Minçev tha se kjo do të varet nga vendimi i Gjykatës kushtetuese.
“Unë në këtë moment nuk do të mundesha të tregoj nëse do të ketë një zgjidhje të re ose si do të jetë përmbajtja e kësaj zgjidhjeje ligjore. Megjithatë, unë do të prisja, gjithsesi dhe Ministria e administratës publike, vendimin përfundimtar të Gjykatës kushtetuese. Varësisht se si do të jetë kjo zgjidhje, ne do të përgatisim një zgjidhje të re ligjore”, pohoi Goran Minçev, ministër për Administratë Publike.
Nga ana tjetër, Mexhiti në intervistë tashmë i ndau detajet për Ligjin për përfaqësim të drejtë. Por Minçev theksoi se bartësi i një zgjidhjeje të këtillë ligjore do të jetë Ministria të cilën e udhëheq ai.
“Vetëm duhet të gjejmë mënyrë eventualisht të ketë evidentim të përkatëses etnike në administratë, pa e shkelur privatësinë e informacioneve”, shtoi Izet Mexhiti, zv/kryeministri i parë.
“Ligji nuk është në përgatitje. Ministria për administratë publike është bartësi i këtyre dy zgjidhjeve ligjore. Unë shpresoj se në kornizë të koalicionit qeveritar do të kemi debat të hapur”, tha Goran Minçev, ministër për Administratë Publike.
Gjykata Kushtetuese përkohësisht e ndërpreu përdorimin e Balancuesit derisa të sillet vendimi përfundimtar për kushtetutshmërinë e dispozitave ligjore me të cilat mundësohet që përkatësia etnike të jetë kusht gjatë punësimit. Nga Ministria për administratë publike njoftuan se së shpejti të gjitha institucionet do të marrin udhëzime se si të veprojnë derisa të merret vendimi përfundimtar. Prej atje nuk dhanë më shumë detaje.
Burimi: tv21