Kombëtarja shqiptare U-17 vijon përgatitjet në mënyrë intensive në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2023. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku po zhvillojnë nga dy seanca stërvitore në ditë, teksa një ditë më parë zhvilluan edhe një test miqësor kundër Teutës U-19, ku tekniku shqiptar pati mundësinë të shikonte lojtarët në fushë. Sakaq, fshf.org ka ndjekur çdo ditë nga afër stërvitjet e lojtarëve dhe ka intervistuar dy prej talenteve të ekipit kombëtar, Ernesto Bakiu dhe Glenis Belloj.
Dy kuqezinjtë janë pjesë e kampionatit shqiptar të moshave dhe synimi i tyre dhe i skuadrës në këto eliminatore është kualifikimi i Shqipërisë U-17 në Elite Round. Ernesto Bakiu, i cili luan si mbrojtës në radhët e ekipit kuqezi tregon se kjo skuadër ka shumë cilësi dhe se do të përballet si e barabartë me kundërshtarët në grup, teksa tregon se impenjimi i lojtarëve është maksimal.
‘Ndihem shumë mirë që jam pjesë e kësaj skuadre. Jemi si një familje. Presim më të mirën për në Europian dhe synojmë t’i fitojmë të treja ndeshjet. Ne po stërvitemi shumë mirë, cilësitë i kemi. Çdo lojtar është shumë i impenjuar për të luajtur kundër rivalëve në grup dhe besoj se do t’i fitojmë ndeshjet. Mendoj që i kemi të gjithë aftësitë dhe do të përballemi si të barabartë me kundërshtarët’ – thotë Bakiu, i cili zbulon edhe synimet e ëndrrat që ka për të ardhmen.
‘Ëndrra ime është të luaj me ekipet më të mira në Europë, por për momentin kam si synim që të luaj me ekipin e parë të Teutës’ – përfundon Bakiu.
Ndërkaq, Glenis Belloj, i cili është një element kyç i skuadrës së Ervin Bulku nuk e fsheh kënaqësinë që ka marrë sërish ftesë nga stafi kuqezi, teksa tregon se në skuadër mbizotëron optimizmi dhe Shqipëria kërkon të marrë rezultate të mira në këtë grup.
‘Është një kënaqësi shumë e madhe që jam pjesë e këtij ekipi. Çunat janë të karikuar në maksimum. Do shkojmë në Europian për të fituar dhe shpresojmë të shkojmë në Elite Round.
Ka shumë optimizëm në grup, kemi elementë shumë të mirë. Stërvitja ka grintë dhe do të luftojmë deri në fund me të tre kundërshtarët tanë. Ne do të tregojmë veten tonë, nuk na intereson kundërshtari. Duam të kemi rezultate sa më të mira me të treja ekipet, si me Kroacinë, ashtu edhe me Suedinë e Uellsin’ – thotë Glenis Belloj.
Mesfushori kuqezi shprehet se objektivi kryesor i tij është Kombëtarja A dhe të luajë në Champions League. ‘Kam si objektiv të luaj në Champions League, me një nga ekipet më të mira në Europë dhe të arrij kombëtaren A’ – tregon Belloj për fshf.org.