Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë se arrestimi i djeshëm i kryeshefit të KEK-ut është “maja e Ajsbergut” Sipas saj, ambasadori Martin Berishaj është “elefanti në dhomë” sa herë flitet për energji.
Sipas saj, deputetët e pushtetit kanë frikë sa herë që organet e drejtësisë tentojnë të hetojnë skandalet e korrupsionit.
“Jemi që dy vite me masa emergjente për furnizim të energjisë elektrike, gjë që shkon në funksion të importit dhe gjë që shkon në funksion të negocimit të drejtpërdrejt të tenderëve. Martin Berishaj është ‘elefanti në dhomë’ sa herë flasim për energji. Profesori që pa verifikim të AKI-së për 24 orë pajisjet me pasaportë dhe emërohet ambasador. Njeriu i cili ka organizuar pritjen dhe ndeja private për udhëheqës të LVV-së dhe deputetë të Listës Guxo. Martin Berishaj po hetohet për një mega-skandal 4 milionë euro transaksione, të gjitha këto të dhëna të njësisë së inteligjencës financiare, të cilat as ai vet nuk i ka kontestuar asnjëherë”, ka thënë ajo.
Më tej, ka përmendur edhe tenderin për të cilin akuzohet kryeshefi Nagip Krasniqi, ku shtoi se i njëjti është negociuar për gjashtë ditë.
Bajrami: Arrestimi i drejtorit të KEK-ut dje është maja e Ajsbergut
“Arrestimi i drejtorit të KEK-ut dje është maja e Ajsbergut, e cila tregon se cilat janë politikat e Qeverisë Kurti në energji. Contour Global nuk do të ndodhë sepse ishte shumë i shtrenjtë, për 83 euro megavati orë energji elektrike, ky është faktikisht drejtori i cili i dha idenë Kurtit që të del kundër Counturit. Mirëpo, çka ka ndodhë në KEK? Dje ne e kishim prangosjen e Nagip Krasniqit i cili sipas raportimeve të mediave po hetohet për një tender 3,4 milionë euro. Të cilin i kishte dhënë kompanisë në fjalë për vetëm gjashtë ditë negociim, tender ky që për nëntë muaj kishte dështuar që të bëhej. Dhe sa është kostoja e mos-funksionimit A5 për nëntë muaj? Për nëntë muaj të mos-funksionimit të bllokut A5, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar 1 milion euro në ditë”, ka shtuar Bajrami në seancën plenare.