FC Prishtina ka nënshkruar kontratë trevjeçare me futbollistin e talentuar Endrit Baholli.
22-vjeçari vjen si lojtar me shumë potencial nga skuadra tjetër e kryeqytetit, 2 Korriku.
“Baholli luan si mesfushor ofanziv dhe gjatë gjithë karrierës së tij është aktivizuar për 2 Korrikun duke treguar potencial dhe formë të lartë dhe me ç’rast ka qenë pjesë edhe e grupmoshave të reja të Përfaqësueses së Kosovës.
Baholli pas nënshkrimit të kontratës me ekipin “bardhekaltër” ka folur për faqen zyrtare të klubit, FC Prishtina, ku i ka zbuluar synimet që i ka me skuadrën e drejtuar nga trajneri Ismet Munishi”, njofton FC Prishtina.
“Besoj se për secilin futbollist krenaria më e madhe është që të luaj për ekipin e vendlindjes. Prishtina ka qenë gjithmonë synim për mua dhe ky vit ishte vendimtar për transferimin tim në këtë klub. Prishtina e ka një histori të madhe, fanella “bardhekaltër” duhet përfaqësuar denjësisht andaj është privilegj për mua që të bart këtë fanellë me shumë peshë”, tha Baholli.
Ai flet edhe për synimet: “Jam i lumtur që kam nënshkruar me këtë klub shpresëdhënës. Me një trajner si Ismet Munishi dhe bashkëlojtarë të motivuar, synimet janë të larta. Padyshim që synoj të zë vend në përbërjen bazë, mirëpo për këtë qëllim kërkohet punë dhe korrektësi, e cila nuk do të mungojë nga ana ime”..
“Tifozeria e bënë futbollin sport emocionues, i jep vlerë e kuptim secilës ndeshje,“Plisat” janë pjesë e secilës arritje të klubit dhe gjithmonë kanë respektin e secilit futbollist. Jam gati që ta jap më të mirën time në fushë në mënyrë që së bashku të kemi sa më shumë fitore e festa”, përfundon Baholli.