Baerbock: Gjermania dhe Izraeli të shqetësuara për “përshkallëzimin bërthamor” të Iranit

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka deklaruar se vendi i saj dhe Izraeli ndajnë shqetësimin për “përshkallëzimin e vazhdueshëm bërthamor” të Iranit, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me homologun e tij izraelit, Eli Cohen, shefja e diplomacisë gjermane akuzoi Iranin se kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në Lindjen e Mesme.

“Ne së bashku ndajmë shqetësimin për përshkallëzimin e vazhdueshëm bërthamor të Iranit dhe raportet e fundit se Irani ka prodhuar uranium të pasuar (në nivel) të lartë. Nuk ka asnjë justifikim të besueshëm civil për një nivel kaq të lartë pasurimi. Irani nuk duhet sigurojë një bombë bërthamore. Ky është qëndrimi ynë i përbashkët dhe ky është objektivi i përpjekjeve tona diplomatike”, tha Baerbock.

Javën e kaluar, rrjeti televiziv ‘Bloomberg’ raportoi se inspektorët ndërkombëtarë zbuluan grimca uraniumi të pasuruara deri në 84 për qind në objektet bërthamore të Iranit, pak më pak se nivelet e gradës së armëve.

Baerbock kujtoi përgjegjësinë historike të Gjermanisë për sigurinë e Izraelit për shkak të krimeve naziste të kryera kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Gjermania qëndron me përgjegjësinë e saj për sigurinë e Izraelit dhe Izraeli mund të vazhdojë të mbështetet tek ne në këtë drejtim”, u shpreh ajo.

Ministri izraelit, nga ana e tij, kërkoi nga Gjermania të rrisë më tej presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj Iranit.

“Regjimi iranian më nuk është vetëm një problem rajonal, por edhe një problem për Evropën dhe botën”, tha Cohen.

Ai theksoi se Irani po furnizon me armë Rusinë, të cilat përdoren kundër Ukrainës.

“Komuniteti ndërkombëtar kurrë nuk mund të pranojë një Iran bërthamor. Ajo duhet ta detyrojë Iranin të kthehet në pajtueshmëri të plotë me ligjin ndërkombëtar dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA)”, tha shefi i diplomacisë izraelite.

Izraeli akuzon Iranin se po synon të ndërtojë një bombë bërthamore, një pretendim që nga Teherani është mohuar vazhdimisht duke deklaruar se programi i tij është krijuar për qëllime paqësore.

Autoritetet iraniane gjithashtu mohuan raportin e fundit të rrjetit televiziv ‘Bloomberg’ për pasurimin e uraniumit, duke e quajtur atë “pjesë të një komploti” kundër Teheranit.





Story i mëparshëm

Struga Trim Lum pa trajner 

Story i radhës

Ruzhdi Matoshi: Sulmet ndaj BDI-së, janë sulme ndaj Ali Ahmetit (VIDEO)

Të fundit nga