Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka avokuar fuqishëm anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
“Tani është momenti kur ne duhet të arrijmë pikat kyçe”, tha ajo në takimin e sotëm të ministrave të jashtëm të pesë vendeve gjermanishtfolëse në Salzburg.
Megjithatë, nikoqiri i takimit Alexander Schallenberg theksoi rëndësinë gjeostratetike të anëtarësimit në BE.
“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur për 20 vjet që BE-ja t’i përmbushë premtimet. Do të ishte fatale për demokracinë dhe të ardhmen në këto vende nëse brezi i ri do të largohej për shkak të zhgënjimit të tyre”, paralajmëroi Baerbock.
“Nëse Evropa nuk vjen tek ata, ata do të vijnë në Evropë. E ardhmja, shpresa dhe demokracia më pas do të emigrojnë”, tha ministrja gjermane për agjencinë austriake të lajmeve APA.
Ministri i Jashtëm austriak Schallenberg bëri thirrje gjithashtu për një perspektivë konkrete pranimi për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe e sheh anëtarësimin si instrumentin më të rëndësishëm gjeostratetik të BE-së.
“Është koha që ta bëjmë këtë provë gjeostrategjike”, thotë ai. Sipas tij, nuk ka vakum në politikë.
“Përndryshe, ekziston rreziku që Ballkani Perëndimor të vihet gjithnjë e më shumë nën ndikimin e Rusisë, Kinës apo Turqisë”, paralajmëroi ai.
Edhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë “detyrat e tyre të shtëpisë”
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, kujtoi gjithashtu përgjegjësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të bërë vetë “detyrat e shtëpisë”.
Baerbock vlerëson “frymën e mbështetjes”
Në takimin e diplomatëve të lartë nga Gjermania, Zvicra, Austria, Lihtenshtajni dhe Luksemburgu, Baerbock vlerësoi “frymën e mbështetjes” në BE, siç tregohet në luftën në Ukrainë ose në ikjen e njerëzve nga Sudani.
Sipas ministrit të Jashtëm të Zvicrës, Ignazio Cassis, vendi i tij dëshiron të fokusohet në dialog gjatë presidencës së ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pavarësisht nga të gjitha krizat.
“Dialogu duhet të vazhdojë të jetë i mundur ose të ringjallet”, tha Cassis.
Zvicra është bërë kohët e fundit një nga dhjetë anëtarët jo të përhershëm të KS të OKB.
Negociatat e anëtarësimit tashmë janë duke u zhvilluar me katër vende
Aktualisht, Mali i Zi, Serbia, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria janë vende zyrtare kandidate. Negociatat e anëtarësimit tashmë janë duke u zhvilluar me Malin e Zi dhe Serbinë.
Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut filluan gjithashtu në korrik 2022. Bosnja dhe Hercegovina është një vend kandidat. Kosova është kandidate e mundshme.