Avokati i Popullit, z. Faton Selami, në kuadër të bashkëpunimit të tij ndërkombëtar, me ftesë të Avokatit të Popullit të Kosovës, z. Naim Qelaj, realizoi një vizitë pune në Prizren, në Republikën e Kosovës, ku u takua edhe me homologun e tij nga Republika e Shqipërisë, z. Endrit Shabani.
Gjatë këtij takimi u shfrytëzua rasti për nënshkrimin e një Memorandumi për bashkëpunim, që ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet tri institucioneve në drejtim të mbrojtjes më të madhe dhe më efikase të të drejtave të qytetarëve.
Takimi u shfrytëzua gjithashtu për shkëmbimin e përvojave nga puna në disa fusha, si që janë, të drejtat civile dhe të drejtat për mbrojtjen e kujdesit shëndetësor, ndërsa me theks të veçantë u diskutua edhe problemi i fëmijëve në rrugë, një sfidë me të cilën përballen të tria shtetet.
Sipas Avokatit të Popullit, z. Faton Selami, globalizimi dhe lëvizja e lirë e qytetarëve kërkojnë që ombudsmanët të bashkëpunojnë në mënyrë të shpejtë dhe efikase në çdo kohë dhe për çdo çështje, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve edhe kur ata ndodhen jashtë vendit të tyre amë.
Tre avokatët e popullit u pajtuan se në të ardhmen takime të tilla duhet të organizohen më shpesh, pasi shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira përbën një nga mjetet më të rëndësishme në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Burimi: alfax.mk

