Avioni i ambulancës i dërguar nga Turqia për të marrë të lënduarit nga zjarri në Koçani mbërrin në Shkup

March 16, 2025
min lexim

Avioni i parë i ambulancës që do të transportojë të lënduarit nga zjarri që shpërtheu në një lokal nate në Koçani në lindje të Maqedonisë së Veriut ka mbërritur në Shkup, raporton Anadolu.

Avio-ambulanca e dërguar nga Ministria turke e Shëndetësisë ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit për të transferuar në Istanbul tre personat e lënduar nga zjarri.
Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, në një deklaratë për Anadolu tha se autoritetet e Maqedonisë së Veriut kishin kërkuar që të lënduarit në gjendje të rëndë të dërgohen në Turqi për trajtim.
Duke theksuar se çështjen e finalizuan shpejt me udhëzimet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, Ulusoy tha: “Avioni i ambulancës i dërguar nga Ministria jonë e Shëndetësisë po çon aktualisht në vendin tonë tre të rinj të lënduar. Mbrëmjen e sotme ata do të zbresin në spitalin Çam Sakura në Istanbul”.

“Është një dhimbje e madhe për Maqedoninë e Veriut dhe ne ndiejmë të njëjtën dhimbje”

Më tej, Ulusoy informoi se një avio-ambulancë tjetër e Ministrisë turke të Mbrojtjes është duke ardhur në Shkup dhe se me këtë avion planifikojnë të transferojnë gjashtë të lënduar të tjerë në spitalin Bilkent të kryeqytetit Ankara.

“Ekipet tona të Ministrisë së Shëndetësisë i bënë aranzhimet jashtëzakonisht shpejt. Ne jemi gjithashtu në kontakt të ngushtë me autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Kjo është një dhimbje e madhe për Maqedoninë e Veriut dhe ne ndiejmë të njëjtën dhimbje. Është jashtëzakonisht e trishtueshme për ne që të rinj të pafajshëm humbin jetën apo lëndohen në një incident të tillë. I shprehim ngushëllimet tona popullit të Maqedonisë së Veriut për këto humbje dhe u urojmë shërim të shpejtë të lënduarve”, u shpreh Ulusoy.

Duke kujtuar se edhe Ministria turke e Punëve të Jashtme ndau një deklaratë me shkrim për këtë çështje, Ulusoy tha se do të ndjekin të plagosurit që kanë dërguar në Turqia dhe ka uruar që ata të kthehen në gjendje të shëndoshë në vendin e tyre.

Ulusoy tha se në mes të plagosurve ka edhe një shtetase turke nga Maqedonia e Veriut dhe se ai do ta vizitojë atë sonte.

Mes tjerash, ai theksoi se vendi i tij gjithmonë është pranë Maqedonisë së Veriut.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të mobilizojmë të gjitha burimet tona për popullin mik dhe vëllazëror maqedonas dhe vëllezërit tanë nga të gjitha komunitetet këtu. Me udhëzimet e presidentit tonë, burimet tona u mobilizuan shpejt sot”, tha ambasadori turk

Një zjarr shpërtheu rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në një klub nate në qytetin Koçani ku humbën jetën 59 persona, ndërsa u plagosën 155 të tjerë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut duke filluar nga nesër shpalli 7 ditë zie kombëtare.

Burimi: alfax.mk

MARKETING

RENT A CAR

Story i mëparshëm

Selami: Nga diskoteka në Koçan nuk ka pasur kërkesë për raportin që e jep DMSH-ja

Story i radhës

Pothuajse 24 orë pas tragjedisë, kryetari i komunës së Koçanit fshihet nga mediat dhe qytetarët

Të fundit nga

Moti sot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu

Mbi vendin tonë sot mban mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-7 gradë Celsius. Ndërsa maksimalet e ditës parashihen
sqmken
ShkoLartë