Në Komisionin Hetimor Parlamentar është duke raportuar Behar Isma, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, tashmë drejtor i Akademisë Diplomatike.
Në këtë komision po diskutohet për menaxhimin e marrëdhënieve të punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Behar Isma gjatë raportimit tha se avancimi i tij në MPJD është bërë në bazë të rregullores dhe vendimit të qeverisë.
“U përmend çështja e avancimit tim, kjo është bërë në bazë të rregullores, vendimit të qeverisë, është diskrecion i ministrit me caktu drejtorin e Akademisë Diplomatike”, tha ai.
Isma tha se ai më herët kishte qenë sekretar i përgjithshëm i MPJD-së.
Po ashtu, Isma pohoi se nuk ka asnjë parregullsi në pozicionimin e tij dhe se gjithçka ka ndodhë konform rregullave dhe ligjit.
Ndërsa, anëtarja e komisionit, Time Kadrijaj tha se “nuk është në rregull të gradohen diplomatët sipas preferencave”.
Disa pyetje i parashtroi edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musli – Shoshi, e cila tha se vite më parë i kishte dërguar e-mail me disa pyetje Behar Ismas, por që ai nuk është përgjigjur asnjëherë.
Lidhur me këtë reagoi Haxhi Avdyli, anëtar i këtij komisioni, derisa tha se deputetja e PDK-së, po bën drama.
“Ky komision është i parlamentit, nuk është për drama që po bën deputetja Shoshi, këtë deputete duhet ta disiplinoni, pasi nuk ka kulturë debati”, pohoi ai.
Mbledhja e komisionit po vazhdon.