Ministria e Transportit dhe Lidhjeve po investon si asnjëherë më parë mbi 1 miliard euro në infrastrukturën rrugore. Në vazhdimësi jemi duke punuar në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore, gjë që shihet edhe nga projektet e shumta që po i realizojmë në mbarë vendin, thotë në një intervistë për “Loklal” Bekim Rexhepi – zëvendësministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Ai thekson se Qeveria është e fokusuar fuqishëm në ndërtimin e seksioneve autostradë të Korridorit 8, autostradave, si dhe në rehabilitimin dhe rikonstruksionin e rrugëve kryesore dhe rajonale.
Javën e kaluar kemi filluar ndërtimin e Korridorit hekurudhor 8 në lindje dhe deri në fund të vitit presim të fillojmë ndërtimin e autostradës së Korridorit 8 dhe korridorit 10E. Sa i përket projekteve të tjera të planifikuara për këtë vit, mund të them lirisht se ato realizohen pa probleme dhe në vazhdimësi. Këtu do të rendisja projektin për rrugët lokale, për ndërtimin e kanalizimeve dhe ujësjellësave, për digën e Otinjës, për përmirësimin e pikave kufitare etj., thekson Rexhepi.
Për korridorin 8 dhe 10 D tashmë është miratuar Ligji për interesin strategjik për ndërtimin e seksioneve të këtyre korridoreve dhe ai ligj ka kaluar në Kuvend. Ligji përfshin një marrëveshje për ndërtimin e autostradës Qafë Thanë – Strugë – Trebenishtë, Bukojçan – Gostivar, Gostivar – Tetovë dhe nga Prilep në Manastir me konsorciumin Bechtel dhe Enka. Por përpara nënshkrimit të kontratës me Kontraktorin, shteti do të zgjedhë një Konsulent që do të udhëheqë negociatat me Bechtel-in për sa i përket çmimit dhe dinamikës së projektimit, ndërtimit dhe të gjithë elementëve të tjerë.
Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore në këto momente është duke i vlerësuar ofertat për përzgjedhjen e konsulentit. Presim që së shpejti të zgjidhet konsulenca dhe mund të them sipas vlerësimit tim se nëse negociatat përfundojnë me sukses, atëherë ndërtimi i këtyre seksioneve mund të fillojë këtë vit.
Autostrada Kërçovë-Ohër është një “gjemb në këmbë” për qytetarët dhe opozita jo rrallë e akuzon për krim gjatë gjithë këtyre viteve të ndërtimit të saj. Si po shkojnë gjërat aktualisht dhe a mund të presim një vonesë tjetër në nisjen zyrtare të seksionit?
Ne kemi trashëguar shumë probleme në këtë autostradë, por ato janë në të kaluarën dhe nuk duam të flasim për atë që ka ndodhur më parë. Më e rëndësishmja është se janë hequr të gjitha mangësitë dhe tashmë po punohet maksimalisht për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm. Aktualisht po punohet me ritme të forta, deri më tani ka përfunduar mbi 71% e projektit. Sipas marrëveshjes, përfundimi i punimeve është fundi i vitit 2023 dhe deri më tani nuk është folur për shtyrje të afatit apo rritje të burimeve financiare.
Probleme po përjeton edhe rruga Shkup-Bllacë, projekt për të cilin punohet shumë vite… Çfarë po ndodh?
Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë tashmë është në vazhdimësi dhe po punohet në pjesën e parë prej 2 km. Gjatë ndërtimit u shfaq një problem i madh, për të cilin u bë një projekt shtesë dhe për këtë arsye ndërtimi u zgjat për një kohë të shkurtër. Për fazën e dytë prej 10 km presim që deri në fund të vitit të përfundojë dokumentacioni i projektit dhe të shpallet menjëherë procedura e tenderit për përzgjedhjen e kontraktorit. Ajo që është më e rëndësishme është se kemi siguruar fonde për ndërtim.
Ky është padyshim një seksion autostradë i rëndësishëm i rrugës 6 të korridoreve evropiane dhe ne jemi të vendosur fort për ndërtimin e saj për një lidhje më të mirë me fqinjët dhe rritjen e tregtisë, qarkullimin më të shpejtë të mallrave etj.