Hetimet e përbashkëta nga autoritetet italiane dhe spanjolle çuan në sekuestrimin e 700 kilogramëve kokainë pranë ishujve Kanarie të Spanjës dhe arrestimin e disa personave në fillim të këtij muaji, njoftuan të martën prokurorët antimafia të Italisë, raporton Anadolu.
Policia spanjolle gjeti drogën në një anije me vela me flamur polak që vinte nga Amerika e Jugut më 5 gusht.
Me këtë rast u arrestuan dy shtetas italianë që u gjetën në bord, të cilët u akuzuan për trafik droge. Një nga italianët ishte pronari i mjetit lundrues.
Autoritetet spanjolle arrestuan gjithashtu dy burra me kombësi serbe dhe kroate në qytetin e Las Palmas në ishullin Gran Canaria, të dyshuar për kontrollin e operacioneve të kontrabandës nga atje.
Një nga italianët dyshohet se është i lidhur me grupi kalabrez Ndrangheta, ndërsa kroati dyshohet se ka lidhje me të ashtuquajturin Kartel Ballkanik, thanë autoritetet.
Autoritetet serbe dhe kroate si dhe Europoli bashkëpunuan në hetim.
“Hetimi identifikoi një kërcënim të rëndësishëm; Aftësia në rritje e organizatave kriminale për bashkëpunim të ngushtë dhe për vendosjen e anëtarëve në vende të ndryshme për periudha më të gjata për të mundësuar trafikun në shkallë të gjerë të drogës”, thuhet në deklaratën e Europol-it.
Hetimi filloi në mars 2022 dhe u fokusua në anijen me flamur polak, e cila kishte një bazë të përkohshme të vendosur në Ishujt Kanarie.
Që atëherë, forcat e rendit monitoruan aktivitetet e ekuipazhit dhe zbuluan se anija po bënte udhëtime të parregullta “për të treguar normalitet” deri më 27 korrik, kur autoritetet spanjolle zbuluan një udhëtim të pazakontë në një pikë të izoluar më thellë në Oqeanin Atlantik, tha Europol.