Australia ka dënuar aktin provokues të djegies së kopjes së Kuranit në Danimarkë dhe Suedi, transmeton Anadolu.
“Australia dënon djegien e Kuranit në Danimarkë dhe Suedi. Ne qëndrojmë kundër paragjykimeve dhe urrejtjes”, shkroi në Twitter ministrja e Punëve të Jashtme të Australisë, Penny Wong.
Ajo shtoi se liria e fesë është një e drejtë themelore e njeriut dhe se Australia gjithashtu është e shqetësuar nga protestat e dhunshme në Irak. “Ne duhet të qëndrojmë të gjithë të bashkuar për të parandaluar dhunën dhe ndarjen”, theksoi ajo.
Të premten, anëtarët e grupit islamofobik dhe nacionalist të ekstremit të djathtë “Danske Patrioter” dogjën një kopje të Kuranit të Shenjtë përpara ambasadës së Irakut në Kopenhagë.
Javën e kaluar, Salwan Momika, një refugjat irakian 37-vjeçar që jeton në Suedi, shkeli me këmbë Kuranin, vetëm disa javë pasi i vuri zjarrin faqeve të librit të shenjtë musliman jashtë një xhamie në Stokholm.
Në muajin janar, Rasmus Paludan, një lider danez i ekstremit të djathtë, dogji një kopje të Kuranit përpara ambasadës turke në Stokholm. Incidenti shkaktoi zemërim dhe dënim në të gjithë botën islame.