Të paktën 6 persona, përfshirë 2 policë, humbën jetën nga të shtënat gjatë rrethimit të një prone në Australi mbrëmjen e së hënës, njoftoi policia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia vrasjen e policëve e konsideron si “humbjen më të madhe të jetës së efektivëve” në shumë vite, pasi tre persona sulmuan dy efektivët në Western Downs të Queenslandit të hënën mbrëma.
“Efektivët po frekuentonin pronën pasi u përgjigjen thirrjes për një person të zhdukur, kur u zunë në pritë nga tre sulmues, dy burra dhe një grua, të veshur me uniforma kamuflazhi”, raportoi sot ABC News.
Gjithashtu gjatë sulmit u vra edhe një person që jetonte në afërsi të vendit ku ndodhi krimi.
Policia i identifikoi efektivët e vrarë, Rachel McCrow 29-vjeç dhe Matthew Arnold 26-vjeç, ndërsa fqinji i vrarë ishte Alan Dare.
Presidenti i Unionit të Policisë së Queenslandit, Ian Leavers tha se efektivët “iu përgjigjën thirrjes për një person të zhdukur kur u përballën me breshëri të shtënash pasi kërcyen mbi një gardh”.
“Të pamëshirshmit, vrastarët më pas kanë shkuar dhe kanë ekzekutuar dy efektivët, oficerët tanë të rënë, që ishin në tokë. Ata i ekzekutuan me gjakftohtësi”, tha Leavers.
Komisionerja e policisë, Katarina Carroll tha: “Megjithë përpjekjet e policisë, çështja nuk mund të zgjidhej në mënyrë paqësore dhe të tre shkelësit u qëlluan për vdekje nga efektivët e specializuar. Në total, gjashtë persona kanë humbur jetën”.
Rrethimi përfundoi pasi efektivët e policisë speciale qëlluan për vdekje të tre sulmuesit rreth orës 22:30 të hënën, sipas kohës lokale.
“Kjo ngjarje është humbja më e madhe e jetës së efektivëve që kemi pësuar në një incident të vetëm në shumë vite”, tha Carroll.
“Policët McCrow dhe Arnold sapo kishin filluar karrierën e tyre policore”, shtoi Carroll.