Shtatë ditë janë bërë që kur Rusia filloi invazionin e plotë të Ukrainës, por mbetet akoma e paqartë sesa dëme të mëdha ka pësuar ushtria e Vladimir Putinit.
Qeveria ukrainase tha sot se 5.840 ushtarë rusë janë vrarë në luftimet me forcat ukrainase.
E Rusia lëre që nuk po e pranon humbjen që e ka pësuar qysh në ditën e katërt, por edhe po i fsheh shifrat e ushtarëve të vrarë apo makinerisë së shkatërruar ushtarake.
Por video dhe fotografi të ndryshme të shkrepura nga vija e frontit, tregojnë se forcat ruse kanë pësuar një debakël në terren.
E një audio-incizim i siguruar nga Kyiv Independent, është një dëshmi shtesë që mbështet këto pretendime të qeverisë ukrainase, ku dëgjohet një grua duke folur për pjesëtarët e brigadës së motorizuar ruse, që kanë qenë në vijën e parë të frontit në Ukrainë.
Ajo pranon se dhjetëra ushtarë rusë janë vrarë në aksione ushtarake në afërsi të qytetit Chernihiv, si rezultat i rezistencës së paparë ukrainase.
Kyiv Independent ka siguruar audio-incizimin përmes Whatsapp, ku një grua nga Aleysk i Rusisë rreth 3.500 kilometra larg Kievit, flet për brigadën e 35-të të motorizuar të ushtrisë ruse.
Gruaja e paemëruar dëgjohet duke thënë se siç miqtë në një grup në WhatsApp, i kanë treguar se brigada e tankeve është shkatërruar plotësisht në Ukrainë.
Në veçanti ajo përmend sesi vetëm 18 ushtarë nga 150 sa ishin në atë njësi kanë shpëtuar gjallë – pasi u goditën rëndë nga trupat ukrainase.
Madje pranon se ishte dëshmitare kur arritën 45 kufoma, që ishin kryesisht ushtarë të rinj. E disa prej të vrarëve ishin fqinjë të saj.