Asociacioni nuk kalon me Kurtin kryeministër!

7 shkurt – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shumë diplomatë perëndimorë po këmbëngulin që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ata presin që propozimi të dalë në tryezën e bisedimeve. Por, javën që lamë pas në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë e posaçme për të diskutuar mbi këtë temë, e si kurdoherë kryeministri Kurti i argumentoi dhe qartësoi deputetëve dhe qytetarëve se asociacioni nuk kalon. Madje, në mënyrë diplomatike kishte përgatitur gjashtë pika të cilat sipas Kutit duhet të plotësohen nëse dëshironi të flitet për një asociacion, kjo krejt si përgjigje ndaj presionit ndërkombëtar mbi këtë temë. Mes, tjerash Kurti edhe në paraqitjet tjera ka përsëritur shpesh herë se presioni duhet të bëhet në Serbi dhe jo në Kosovë. Por, një gjë është e garantuar se asnjë marrëveshje që nënshkruhet nga kryeministri aktual i Kosovës nuk do të jetë në dëm të shtetit e as të shqiptarëve që jetojnë atje e kudo, shkruan Zhurnal.

Çka është Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas zyrtarëve evropianë, do të ndodhë menjëherë pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se Asociacioni do të themelohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por pas arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë me Serbinë.

Autoritetet e Beogradit, megjithatë kanë insistuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet menjëherë dhe që kjo çështje të jetë temë për negocim në kuadër të dialogut aktual në Bruksel, gjë të cilën e kanë refuzuar autoritetet e Prishtinës zyrtare.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij. Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Pas marrëveshjes së vitit 2013, Kosova dhe Serbia në Bruksel në vitin 2015, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Asociacioni do të ketë një president, i cili do ta përfaqësojë Asociacionin pranë autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës. Presidenti do të ndihmohet nga zëvendëspresidenti. Presidentin dhe zëvendëspresidentin do t’i zgjedhë kuvendi në mesin e anëtarëve të kuvendeve komunale pjesëmarrëse dhe kryetarëve të komunave të tyre.

Kurti si përgjigje diplomatike ndaj presionit ndërkombëtar ka vendosur gjashtë kushte për themelim të asociacionit –

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të konsiderohet me disa kushte, pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kushti kryesor sipas tij, është që Asociacioni “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën në  Kosovës”. Kurti kushtet e tij për Asociacionin i prezantoi në një seancë në Kuvendin e Kosovës që nuk ishte paralajmëruar se do të diskutonte për dialogun me Serbinë. 

“Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës. Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe të bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”, ka thënë kryeministri Kurti.

Mes tjerash, pos presionit ndërkombëtarë Kurti po përballet edhe me një presion të hatashëm prej brenda shtetit që është edhe absurditeti i krejt këtij diskutimi, që opozita në Kosovë bashkë me disa “media” janë pro themelimit të asociacionit, madje përpos kësaj edhe i bëjnë presion kryeministrit që asociacioni duhet të themelohet.

Dhe, kjo ngjanë sikurse kjo kastër politike bashkë me disa “media” të propagandës po harmonizojnë qëndrimet e tyre me ato të politikanëve të Serbisë. Ndërkaq, në Serbi situata është krejtësisht ndryshe të gjithë janë të rreshtuar në mbrojtje të qëndrimeve që janë në interes të shtetit.

Por, si kurdoherë edhe gjatë seancës së javës që lamë pas Kurti i la pa fjalë opozitarët që nuk dinë edhe çfarë flasin, por halli i tyre nuk është shteti i Kosovës por pushteti absolut i Kurtit që me vullnet të plotë qytetarët e kanë votuar dhe e kanë sjellë në qeverisje.

Pas replikave të shumta me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, Kurti i është kundërpërgjigjur në këtë formë. “Unë e kam të qartë se ju keni qejf me ua themeluar Zajednicën, por Zajednica nuk kalon. Këtë e keni pranuar ju më 19 prill 2013 edhe më 25 gusht 2015. Ajo nuk bëhet, unë nuk e zbatoj”.

Megjithatë, popullata në Kosovë këtë gjë veçse e ka të qartë prandaj edhe i kanë dhënë Kurtit pushtet absolut, e një gjë të tillë ngjashëm do ta bënin sërish pa hamendje këtë e tha edhe sondazhi i fundit, sipas të cilit 70% ishin deklaruar se do ta votonin partinë që e drejton Kurti, Vetëvendosjen. Pra, fjalën e parë dhe të fundit e ka sovrani, e një vetëdije e lartë politike e qytetarëve të Kosovës do të kishte qenë e nevojshme të ishte prezent edhe në Maqedoninë e Veriut. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

Qeveria e RMV-së miratoi planin e Dialogut Strategjik me SHBA-të

Story i radhës

(VIDEO) Taravari paralajmëron se sot ose nesër do të finalizohet marrëveshja

Të fundit nga