Asociacioni i Komunave i reagon ministres Nagavci: Komunat bëjnë kërkesa të pareshtura për çerdhe të reja

September 4, 2024
min lexim

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se ‘MASHTI nuk ka asnjë kërkesë nga komunat për çerdhe të reja’.

Në reagimin e Asociacionit thuhet se “faktet janë fakte dhe janë të pamohueshme – komunat bëjnë kërkesa të pareshtura në MASHTI-t për çerdhe të reja”.

“Ministre Nagavci, Po, komunat e Republikës së Kosovës kanë nevojë për çerdhe publike dhe kanë bërë kërkesa të pareshtura në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Kryetarët e Komunave vlerësojnë që shërbimet që ofrohen nga çerdhet janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e e fëmijëve. P.sh. Komuna e Kaçanikut ka bërë kërkesë në MASHTI duke ia prezantuar edhe lejen për ndërtim, vendimin e Kuvendit komunal dhe dokumentet tjera përcjellëse. Mirëpo, kjo kërkesë nuk ka marrë asnjë përgjigje. Për komunën e Vitisë; ka qenë e vendosur të ndërtohet një çerdhe mirëpo MASHTI në procedura të tenderimit, e të cilat procedura i ka udhëhequr vetë, ka vendosur ta anuloj vendimin e vet dhe që këtë projekt ta bartë në një komunë tjetër. Gjithashtu, komuna e Vitisë ka bërë edhe në një kërkesë tjetër të miratuar nga komuna, mirëpo nuk ka marrë përgjigje nga MASHTI. Komuna e Prizrenit ka bërë dhe është duke bërë kërkesa në MASHTI. Mirëpo këto kërkesa refuzohen apo nuk miratohen. Komuna e Istogut që disa vite pret përfundimin e një çerdhe e cila ka filluar të ndërtohet nga MASHTI. Komuna e Istogut është e gatshme ta përfundojë këtë objekt mirëpo nuk i lejohet nga MASHTI vazhdimi i punimeve. Komuna e Pejës ka kërkuar vetëm 100 shtretër shtesë për një çerdhe publike por nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga MASHTI. Komuna e Ferizajt, ka bërë kërkesë gjithashtu mirëpo MASHTI ka thënë që mund të përkrah projekte për ndërtimin e çerdheve vetëm në zonat urbane por jo edhe ato rurale. Ministre Nagavci, qytetarët jetojnë edhe në vende rurale e jo vetëm urbane. Komuna e Deçanit, i ka dërguar dy kërkesa MASHTI për adaptimin e dy shkollave të vjetra në çerdhe dhe dy kërkesa të tjera për ndërtimin e dy çerdheve të reja, por nuk kanë marrë përgjigje”, thuhet në reagim.

Asociacioni thekson se Komuna e Drenasit i ka 2 çerdhe në renovim/përshtatje të anekseve të shkollave dhe i ka ndarë dy lokacione për ndërtimin e çerdheve të reja e të cilat janë në procedurë.

“Në komunën e Suharekës, e vetmja çerdhe e cila ka filluar të financohet nga MASHTI, qe për disa vite nuk është ndërmarrë asnjë veprim dhe kjo ka mbetur e papërfunduar. Këto janë fakte dhe si konkluzion, komunat gjithnjë kanë bërë kërkesa për ndërtimin e çerdheve të reja. Komunat edhe me vetëfinancim, si komuna e Lipjanit, Rahovecit, Mitrovicës, Suharekës etj duke e parë nevojën për çerdhe dhe kërkesën e pareshtur të qytetarëve, kanë ndërtuar çerdhe publike. Pra, shihet se komunat janë më efikase në ndërtimin e çerdheve të reja në raport me MASHTI. Këto janë vetëm disa info nga disa komuna se po t’i shënonim të gjitha komunat, atëherë nuk dihet se sa kërkesa janë drejtuar te ju. Ministre Nagavci, të gjitha këto të cilat janë të përmendura më lartë janë edhe të dokumentura”.

Sipas Asociacionit, qasja e MASHTI-t ndaj Komunave në kërkesat e tyre nuk është korrekte dhe është tepër demotivuese dhe dekurajuese sepse kërkesat e komunave nuk po përkrahen.

“Kjo qasje po i demotivon komunat për të bërë kërkesa të reja. Ka komuna ku ndërtesat për çerdhe janë ndërtuar me mjete vetanake komunale, mirëpo nuk mund të funksionalizohen, sepse MASHTI duhet të lejoj vende të reja pune për profesionistë të kësaj fushe”, thuhet në reagim.

Në fund thuhet se “kërkesë, e cila është qe disa vite; është mirë që MASHTI të bashkëpunojë dhe t’i inkurajoj komunat në zgjidhjen e problemeve, e të cilat probleme janë të shumta në fushën e arsimit, e jo vetëm të fajësohen”.

Ministrja Arbërie Nagavci ka thënë ditë më parë në një media se aktualisht nuk kanë asnjë kërkesë për ndërtimin e çerdheve të reja nga asnjëra komunë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

“Zgjomë nga kjo ëndërr e zezë, o Zot”, postimi rrëqethës i vajzës së Enver Ballës, u vra nga djali dhe u hodh në pus: Akoma nuk kam kaluar humbjen e mamit

Story i radhës

SHBA akuzon Rusinë për fushata dezinformimi për të ndikuar tek zgjedhjet presidenciale

Të fundit nga

ShkoLartë