Personat e shurdhër në Kosovë nuk arrijnë të shkruajnë e as lexojnë. Një test i fundit i shkathtësive të leximit ka zbuluar rezultate shqetësuese për nxënësit me vështirësi në dëgjim nga klasa e katërt deri në klasën e dymbëdhjetë. Studimi mbi nivelin e arritjeve akademike të nxënësve është bërë në Qendrën Burimore “Nënë Tereza”, në Prizren, i cili ka qenë i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës.
Shoqata Kosovare e të Shurdhërve konsideron se nuk po zbatohet ligji në fuqi, i cili garanton gjithëpërfshirje në arsimin parauniversitar. Po ashtu, kjo organizatë thotë se personat e shurdhër po kanë vështirësi për pjesëmarrje në shoqëri.
Gjuhë të parë nuk kishte atë të shenjave, por si nëntë-muajshe ajo humbi dëgjimin dhe të folurit. Kimete Haziri nga Gjilani kujton fëmijërinë e saj të vështirë, teksa rrëfen se asnjëherë nuk arriti të shprehet.
Haziri: Ka qenë shumë e vështirë fëmijëria ime
“Edhe unë kam lindur me dëgjim, mirëpo pas nëntë muajve kam pasur temperaturë të lartë. Me shpejtësi familja më ka dërguar në spital, kam qëndruar diku tri javë atje. Temperatura ka qenë shumë e lartë dhe për shkak të temperaturës e kanë vërejtur që unë e kam humbur dëgjimin. Në fillim kam reaguar pas dëgjimit, atëherë prindërit kanë filluar të dyshojnë prej aty që unë e kam humbur dëgjimin. Pas disa ditësh e kanë kuptuar që unë nuk dëgjojë. Ka qenë shumë e vështirë fëmijëria ime, e kam pasur shumë të vështirë komunikimin sidomos dhe kam pasur vështirësi për tu shprehur. Pra, gjithmonë i kam mbajtur në vete ato”, rrëfen ajo për KosovaPress.
Gjuhën e shenjave e mësoi nga moshatarët e saj në Qendrën Burimore në Prizren, e deri atëherë ajo pati problem të komunikojë edhe me prindërit e saj. Shkrim-leximin nuk arriti ta përvetësojë asnjëherë, por tërë jetën ajo avokoi për të drejtat e personave të shurdhër.
Haziri: Mësimdhënësit nuk e kanë njohur gjuhën e shenjave
“Kur u kthejsha për pushime në shtëpi e kam pasur shumë të vështirë sepse në shkollë kemi pasur gjuhën e shenjave, ndërsa këtu kemi pasur vetëm disa shenja, gjeste apo… Atëherë kam filluar dy prindërit t’i mësojë për gjuhën e shenjave mirëpo problemi kryesor ka qenë njohuria e shkrim leximit apo shkathtësitë e shkrim leximit. Ato kanë qenë shumë të dobëta për mua dhe me kalimin e kohës unë përfundova shkollën. (04:45) Socializimi më ka ndihmuar shumë (në shkollë), por për shkrim e lexim jo. Sepse mësimdhënësit nuk e kanë njohur gjuhën e shenjave. Kanë folur më tepër dhe e kanë përdorur gjestikulacionin, ka qenë e paqartë për neve, jo vetëm për mua por edhe gjithë nxënësit. Kemi mësuar mirëpo vetëm alfabetin arrijmë ta kuptojmë, mirëpo krijimin e fjalive apo shkrimin e fjalive është shumë e vështirë”, shton Haziri.
46-vjeçarja jeton me ëndrrën e mësueses, në veçanti të fëmijëve të saj të cilët asnjëherë nuk arriti t’i ndihmojë në detyrat e shtëpisë.
Haziri: Asnjëherë nuk kam arritur ta ndihmojë djalin kur ka pasur nevojë për shkrim dhe lexim
“Unë e kam një djalë të shurdhër, mungesa e shkrim leximit te unë ka ndikuar edhe te djali sepse nuk kam arritur ta përkrahi kur ai ka pasur nevojë për shkrim dhe lexim, kur e ka ndjekur shkollë. Me kalimin e kohës kur e ka përfunduar shkollën e mesme djali, ka dashur të inkuadrohet ose të shkollohet më tepër por për shkak të shkrim leximit, ai ka shkuar në Gjermani”, përfundon ajo.
Me ngritjen e cilësisë së edukimit do të ketë edhe mirëqenie për personat e shurdhër, thotë Nebih Cakaj, i cili është përgjegjës për sektorin e edukimit në Shoqatën Kosovare të të Shurdhërve.
Cakaj: personat e shurdhër të kenë vështirësi në pjesëmarrje në shoqëri
“Është duke u përdorur metodologjia e vjetër e shkollës së vjetër. E kjo po ndikon që komuniteti i të shurdhërve, personat e shurdhër të kenë vështirësi në pjesëmarrje në shoqëri. Gjithmonë duke kërkuar ndihmën e familjarëve, ose e kanë të pamundur që të kenë qasje në komunikim nëpërmjet titrave, apo shkrimit, leximit. Këto janë gjitha vështirësitë që po i hasin. (19:30) Ligji për Punësim dhe Riaftësim Profesional edhe mund ta vëreni se aty personat tjerë me aftësi të kufizuara punësohet shumë më lehtë. Brenda për brenda aftësisë së kufizuar jemi të diskriminuar, për shkak se personat e shurdhër nuk mund të qasen në testin me shkrim, ose testin me gojë ose për punësim. Dhe të gjitha këto lidhen njëra pas tjetrës”, deklaron ai.
Pas përfundimit të 11 viteve shkollim në Qendrën Burimore në Prizren, Cakaj shton se personat e shurdhër po e kanë të pamundur punësimin.
Cakaj: Shkrim-leximi është çelësi kryesor i zhvillimit
“Kur nuk mund të shkruash, të lexosh, shumë ndërmarrje thonë që është shumë i mirë por përderisa nuk mund të komunikojmë me shkrim e lexim. Prapë po kthehemi tek kjo që shkrim leximi është çelësi kryesor i zhvillimit…Qendra Burimore në Prizren i ka diku rreth 40 fëmijë por kemi edhe në vende të tjera ku janë në klasa gjithëpërfshirëse. Në bazë të Ministrisë së Arsimit janë duke 200 nxënës të shurdhër. Llogarit tash që Qendra Burimore të paktën e ka gjuhën e shenjave, por ato klasa gjithëpërfshirëse nuk kanë as gjuhë të shenjave, as bashkëmoshatarë, e as komunikim. Kjo është edhe më e keqe, më e vështirë”, thekson Cakaj.
Studimi mbi nivelin e arritjeve akademike të nxënësve me dëmtime në dëgjim në Qendrën Burimore në Prizren, i cili është financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, Cakaj shton se është një dokument që tregon për cilësinë e arsimit.
Ky raport tregon se asnjë nga 14 nxënësit e testuar nga klasa 4 deri në 12, nuk arrin të lexojë dhe kuptojë as edhe fjali të thjeshta. KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri në publikimin e këtij artikulli. Po ashtu, është kontaktuar edhe drejtori i kësaj Qendre Burimore në Prizren, por i njëjti nuk ka pranuar të prononcohet.
Drejtori i Institutit “EdGuard” Rinor Qehaja thotë se legjislacioni në fuqi garanton gjithëpërfshirje në arsimin parauniversitar, gjë që nuk po zbatohet.
Qehaja: Nuk po zbatohet legjislacioni i cili thërret për gjithëpërshirje në arsimin parauniversitar
“Përkundër që legjislacioni dhe e tërë infrastruktura ligjore na garanton dhe thërret për githëpërfshirje në arsimin parauniversitar, jo gjithherë kjo na është zbatuar. Mungon në zbatim për arsye infrastrukturore dhe për arsye të resurseve njerëzore, mbi të gjitha kapaciteteve për trajtim dhe përfshirje të tillë në procesin mësimor. Pra, duhet të ketë një vullnet të fuqishëm institucional që të garantohet gjithëpërfshirje për çdo fëmijë në çdo shkollë. Dhe kjo nuk është e kufizuar vetëm me rekrutim të asistentëve të rinj, por mbi të gjitha shkon edhe me një vetëdije edhe më të rritur në institucionet arsimore, në këtë rast për mësimdhënës, për prindër, për fëmijë për të pranuar fëmijë që janë më ndryshe”, deklaron Qehaja.
Udhëzimi administrativ për Qendrat Burimore, siç shton Qehaja definon përgjegjësitë e llogaridhënien e akterëve të përfshirë.
Qehaja: Mungon një llogaridhënie, udhëzimi administrativ i ka të definuara përgjegjësitë
“Ligjet aktuale por edhe udhëzimi administrativ për Qendrat Burimore e kanë të mirë definuara përgjegjësitë e të gjithë akterëve. Përfshirë ekipet vlerësuese që identifikojnë nxënësit dhe i rekomandojnë për qendra burimore, pastaj edhe rrugëtimin e fëmijëve, nxënësve në Qendrën Burimore deri në përmirësim të gjendjes ose përfshirjes së tyre në kthim në shkolla të rregullta. Legjislacioni është i mirë caktuar mirëpo ajo çka pa dyshim mungon është një llogaridhënie. Një indikator të mirë përcaktuar të performancës për çdo Qendër Burimore, neve na duhet ta dimë se kush është performanca e nxënësve dhe përmirësimi i tyre në Qendër Burimore dhe për këtë për ‘ thirrur në përgjegjësi vet institucioni”, përfundon Qehaja.
Studimi mbi nivelin e arritjeve akademike të nxënësve me dëmtime në dëgjim, thotë se arsyet kryesore për këto rezultate janë mungesa e gjuhës së shenjave dhe shkathtësive pedagogjike të mësimdhënësve, mungesa e materialeve të përdorura në mësimdhënie, mungesa e angazhimit të përkthyesve dhe mungesa e gjuhës së shenjave si lëndë për nxënësit e shurdhër dhe me vështirësi në dëgjim.