Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të premten se grumbullimi i trupave ruse dhe ushtrimet ushtarake të tyre afër kufirit me Ukrainën përbëjnë eskalim.
“Në aspektin ushtarak, ne nuk po shohim ndonjë shenjë të de-eskalimit, por më tepër të kundërtën. Grumbullimi ushtarak rus po vazhdon dhe në Bjellorusi, rreth 30.000 ushtarë kanë kryer ushtrime, pjesërisht shumë afër kufirit ukrainas”, tha kryediplomatja gjermane në një konferencë për gazetarë në Aman të Jordanisë.
“Për këtë arsye, po përgatitemi intensivisht për të gjithë skenarët, natyrisht, në bashkërendim të ngushtë me aleatët dhe me partnerët tanë në Bashkimin Evropian. Është një vijë e kuqe dhe kjo është sovraniteti i Ukrainës. Ne po përgatitemi me të gjitha masat dhe me rreptësi, por ne gjithashtu po punojmë njëherazi për dialog”, shtoi ajo.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, në takim me homologun e saj jordanez, Ayman Safadi, gjatë vizitës në Jordani (Foto: Picture Alliance)
Ministrja gjermane gjithashtu tha se ushtrimet detare të Rusisë në Detin e Zi dhe në Detin Azov gjithashtu përbëjnë eskalim, shkruan Reuters.
Gjermania është kritikuar për vendimin për të mos i dhënë armë Ukrainës, siç kanë vepruar Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, dhe për pozicionim jo fort të qartë kundër Rusisë.
Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë se Deti Azov është bllokuar plotësisht dhe se Deti i Zi është izoluar pothuajse tërësisht nga forcat ruse.
Javën e ardhshme, Rusia pritet të mbajë ushtrime ushtarake detare në këto dy dete, të cilat shtrihen në jug të Ukrainës. Autoritetet ruse kanë lëshuar paralajmërime në bregdet për të njoftuar për ushtrimet me qitje me artileri e raketa.