Jemi sot këtu për të ngritur zërin kundër diskriminimit skandaloz të kulturës shqiptare nga ana e Ministrisë së Kulturës, ku ky diskrimini po bëhet edhe me miratimin e funksionarëve shqiptarë. Ky është reagimi i Aleancës për Shqiptarët, e cila ka përmendur ndarjen diskriminuese të buxhetit.
“Nëse analizohen mirë rezultatet e ndarjes së buxhetit për projekte dhe aktivitete kulturore, vërehet se shqiptarët në shumicën e sektorëve nuk arrijnë as 20 përqind të mjeteve. Do të përmendim vetëm disa sektorë sa për ilustrim, Sektori për botime ku shqiptarët marrin 18.39%, festivalet e literaturës 18%,Sektori i dramës 18%, ndërsa edhe më keq është në sferat e tjera si ajo e festivaleve të muzikës ku shqiptarët kanë ZERO PËRQIND”.
Nga ASH-ja theksojnë se në buxhetin e sivjetshëm, shumë festivale tradicionale të kulturës shqiptare nuk kanë marrë asnjë qindarkë, ndërsa të tjera kanë marrë shuma qesharake me të cilat nuk mund të mbulojnë as shpenzimet elementare.
“Përveç diskriminimit etnik, në buxhetin e sivjetshëm janë vërejtur edhe keqpërdorime dhe dallime politike dhe klanore. Në muzikë në shumë projekte të fituara do ta hasni mbiemrin Grubi, ndërsa artistë të shumtë janë lënë duar bosh. Projekte kanë fituar edhe eksponentë të tjerë të cilët i kemi parë në tubime dhe manifestime partiake të BDI-së, madje me shuma të majme të cilat lënë shumë hapësirë për të dyshuar”.
Ata më tej bëjnë thirrje publike Ministrisë së Kulturës që urgjentisht të korrigjojë rezultatet dhe të eliminojë këto diskriminime, ndërsa funksionarët shqiptarë në këto ministri të heqin dorë nga nepotizmi, partizimi dhe devalvimi i kulturës shqiptare. Aleanca për Shqiptarët inkurajon artistët dhe punonjësit e kulturës që të mos dorëzohen, por bashkërisht të luftojnë për të drejtat që ju takojnë atyre dhe zhvillimin e kulturës shqiptare ashtu siç e meritojmë.