ASH: Agjencia për implementimin e gjuhës shqipe shpërfill gjuhën shqipe / Reagon AZGj

min lexim

Shkup, 12 nëntor – Edhe përkundër krekosjeve të zyrtarëve të lartë të partisë shqiptare në pushtet, BDI, brenda dhe jashtë vendit me gjoja zyrtarizimin e gjuhës shqipe, shumë institucione në vend nuk respektojnë dygjuhësinë dhe anashkalojnë krejtësisht përdorimin e gjuhës shqipe. Aleanca për Shqiptarët ka reaguar me kohë ndaj shumicës prej tyre.

 

Por, skandal mbi skandalet është fakti se vetë institucioni që është themeluar pikërisht për të mbrojtur përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, Agjencia për implementimin e gjuhës shqipe, apo siç njohet zyrtarisht “Agjencia për implementimin e gjuhës që e flasin të paktën 20% e qytetarëve”, vetë e shpërfill gjuhën shqipe dhe shkel ligjin me dhe për të cilin është themeluar.

Faqja zyrtare e Agjencisë (https://apj.gov.mk) nuk ka version në gjuhën shqipe dhe e tërë mënyja e faqes është në gjuhën maqedonase. Përveç disa lajmeve të publikuara në tri gjuhë që duken në ballinë të faqes, gjithçka tjetër në faqe është vetëm në gjuhën maqedonase. Në shumicën e rubrikave nuk ka fare materiale, ndërsa në disa prej tyre ka të dhëna vetëm në gjuhën maqedonase.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se kjo qasje skandaloze ndaj gjuhës shqipe është kulmi i papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë që kësaj radhe vjen jo nga të tjerët, por nga vetë shqiptarët në pushtet dhe madje nga ata të cilët janë emëruar në poste të paguara mirë nga buxheti i shtetit vetëm e vetëm që të detyrojë institucionet e tjera të respektojnë gjuhën shqipe.

I bëjmë thirrje inspektoriatit kompetent që kontrollet dhe sanksionet t’i fillojë nga vetë agjencia për gjuhën shqipe e cila po shkel me dy këmbë mbi mandatin e saj të shenjtë të cilët shqiptarët e fituan me shumë mund.

Pas akuzave të Aleancës për Shqiptarët, reagon Agjencia për implementimin e gjuhës shqipe

“Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGj) është e detyruar që të reagojë dhe të demantojë akuzat e sotme të partisë opozitare, Aleancës për Shqiptarët, drejtuar neve, për gjoja papërgjegjshmëri dhe shpërfillje të gjuhës shqipe.

Që nga themelimi i kësaj agjencie, e deri më sot, çdo lajm apo material tjetër i shpallur dhe i botuar, bëhet në shqip, maqedonisht dhe anglisht. Dëshmi e kësaj janë materialet e ndryshme që mund t’i gjeni në faqen e internetit, në zyrat e agjencisë, si dhe në faqen në Facebook.

Për të qartësuar situatën, gjatë muajit të kaluar, kemi filluar me rregullimin e problemeve softuerike të faqes së internetit, që më pastaj të bëjmë edhe përditësimet e nevojshme. Gëzohemi që Aleanca për Shqiptarët ka filluar të përcjellë punën tonë.”, thuhet në reagimin e tyre, përcjell Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

Fiton Hertha dhe Leverkusen

Story i radhës

Barazohet rekordi i Juventusit të “Calciopoli”

Të fundit nga