-Frika se do të mbetet pa asnjë parti shqiptare për të bashkëpunuar, ka rritur nervozen e kësaj partie se nuk do të mund të kthehet në pushtet, ndaj i kthehet “formulës” së 61 deputetëve, për të mos u “shantazhuar” as VMRO-ja as populli maqedonas!
/Editorial i portalit desk.al/
Ujku e ndërron qimen, por jo dhe tabihatin! Kështu mund të thuhet edhe me VMRO-DPMNE-në post-Grueviste. Sa kujton se disa tabihate të së kaluarës i kanë harruar, s’shkon kohë, sa të nxehen pakëz nga diçka, përfaqësuesit e saj shpërfaqin gjithë atë që duan ta mbulojnë me fraza të bukura.
Dukej se Hristijan Mickovski do të sillte një frymë të re në parti pas ikjes në ekzil të Nikolla Gruevskit. Pritej që të distancohet nga bëmat e një numri jo të vogël udhëheqësish partiakë për të cilët u pa se në ç’punë kriminale ishin zhytur. Po ashtu, pritej se me udhëheqjen e re do të vijë edhe fryma e bashkëpunimit dhe tolerancës dhe do të tejkalohen disa dukuri ose sjellje që ishin treguar të dëmshme. Por jo.
Udhëheqësia e re nuk është distancuar nga gjithë ato të palara që dolën në sytë e publikut për mënyrën se si kishte ushtruar pushtetin Gruevski & kompani, por gjykimet për ta, i konsideron politike. Udhëheqësia e re, dukej se pati një përafrim më të sinqertë me parti shqiptare, por shumë shpejt u pa se këto janë vetëm floskula dhe truke për ta kthyer veten në pushtet. Kur bashkëpunimi me to nuk rezultoi me kthim të VMRO-së, iu kthye prapë retorikës së dikurshme.
Kulmi u arrit kur nënkryetari i kësaj partie, këto ditë, “nuk përjashtoi” mundësinë që maqedonasit të çohen në luftë(a thua kundër kujt dhe përse?!), kurse sot po e rikthen “metodën” e sprovuar të Nikolla Gruevskit, dhe në intervistën për Radio Liderin, kërkoi që maqedonasit t’ua japin votën masivisht. Për çka? Njësoj si Gruevski: që të fitojnë 61 vota dhe të mos jenë të varur. Sepse, partia e tij na qenka e vetmja forcë politike që mund “të plotësojë dëshirat e popullit maqedonas që “të mos jemi të shantazhuar” dhe që “tipa si Taravari. Ali Ahmeti dhe Artan Grubi të mos mbijetojnë politikisht”.
Është një frustrim i madh, kjo duket. Kohë ma parë njëri nga liderët e partive shqiptare ia pat bërë të qartë liderit të VMRO-së se me këtë mendësi politike, asnjëherë nuk do të mund të vijë në pushtet. Tash pas largimit edhe të Aleancës për Shqiptarët nga bashkëpunimi me VMRO-në, që zaten u tregua i kobshëm, Mickovski dhe bashkëpartiakët e tij, vërtet më nuk shohin se cila parti shqiptare do të mund t’u bashkangjitej në planet e tyre për kthim në pushtet dhe pa partitë shqiptare, dhe ai e di se edhe sikur të fitonte, nuk do të arrinte të bëjë qeveri. Kështu, në mungesë të invencës politike për t’i mbajtur afër partitë shqiptare, apo t’u ofrojë diçka joshëse qytetarët, ai i kthehet formulës së dikurshme të Gruevskit, për 61 vota, jo që të mos kushtëzohet nga BDI, por që të mos i ketë fare barrë shqiptarët. Kjo është ajo ëndrra e fillimeve të VMRO-së si parti, kur e kishte apostrofuar prezencën e shqiptarëve si problem për shtetin dhe në këtë tezë vite me radhë fitonte zgjedhjet.
Me këto teza, VMRO-ja përsëri ringjall sentimentin që e kultivonte viteve të kaluara, por me dy qëllime: duke dashur që të ngre rejtingun e vet duke sharë partitë shqiptare dhe në anën tjetër, duke dashur të ulë peshën e oponentit të drejtpërdrejtë në fushën e zgjedhjeve, LSDM-së, duke e paraqitur atë si të varur. Por gjithë kjo e mbështjellë me kauzë politike që duket e pranueshme, që kur të vijë vetë në pushtet, t’i nxjerrë para drejtësisë ata që janë zhytur në kriminalitet, duke harruar se partia më e madhe për këto dukuri, me “tapi” është pikërisht VMRO-ja!