9
Shkup, 12 dhjetor – Pyetja që më së shumti është shtruar dje ka qenë se kush fitoi VLEN apo Fronti Evropian nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që seanca për rishikimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të shtyhet në një seancë tjetër ku do të marrin pjesë edhe partitë politike, ekspert të fushës përkatëse e të tjerë. Nga ky vendim lirshëm mund të konstatojmë që kanë fituar të gjithë shqiptarët pa dallime partiake, sepse çfarë do vendimi që do të merrej do të dobësonte avancimin e gjuhës shqipe. Kujtojmë që, nga VLEN kanë dhënë garancë që asgjë nuk do të ndodhë, dhe kështu si ata paralajmëruan edhe rezultoi, shkruan Zhurnal.
Çfarë u vendos në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve?
Gjykata Kushtetuese vendosi dje të shtyjë vendimin mbi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Bëhet fjalë për këtë Ligj që është miratuar në vitin 2019 që e avancon gjuhën shqipe në zonat ku janë mbi 20% shqiptarë. Ligji përballet me disa sfida ligjore që vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e tij, që nga fillimi. E kjo pikëpyetje daton që pesë vite por për një kohë të gjatë përshkak të vullnetit dhe ndikimit politik ka qëndruar në sirtarë.
Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murat, që sot është deputet i BDI-së, ka mbajtur këtë Ligj me status të pa definuar pikërisht për të ardhur në këtë situatë në të cilën jemi sot që për secilin ndryshim të mundshëm të fajësohen ata që nuk janë fajtorët kryesor.
Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, tha se deri në pranverën e vitit të ardhshëm gjykata do të marrë një vendim. Por, kjo çështje ka nxitur pakënaqësi të madhe tek shqiptarët, por dhe përplasje në mes partive opozitare dhe atyre të pushtetit.
Anëtarët shqiptarë të gjykatës, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari refuzuan të marrin pjesë në takimin ku do të diskutoheshin dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës shqipe. Edhe anëtari i tretë, Fatmir Skender me përkatësi turke, u largua nga seanca pasi nuk u pranua propozimi i tij për heqjen nga rendi i ditës i nismave për Ligjin e Gjuhëve.
Pas të gjithë shqiptarëve nuk do mend që duhet të marr merita ndonjëri prej bllokut shqiptarë, opozita apo pushteti. Kur po flasim për një çështje që kanë fituar të gjithë shqiptarët pa dallime partiake, por një gjë duhet të analizohet. Nëse kish ndodhë që gjatë kësaj seance të ishin abroguar disa dispozita ligjore prej këtij Ligji sulme barbare do të ndodhnin ndaj përfaqësuesve të shqiptarëve në qeveri, pra VLEN-it.
Që nëse VLEN kish qenë fajtori kryesor për çfarëdo vendimi që merrej, tani nuk ka kuptim që fitues apo triumfues mos të konsiderohen të njëjtit. Pra, faktori politik shqiptarë në këtë përbërje të re qeveritare janë VLEN-i dhe për secilin dështim apo arritje këtyre duhet të faturohet. E kur po flasim për një situatë ku shqiptarët janë triumfues si fitues mund të konsiderohen VLEN-i që ia arritën ta fitojnë këtë betejë dhe mos të lejojnë që avancimi i gjuhës të zbehet. E kjo krijon shpresë për një avancim edhe më të shtuar të statusit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Në çfarë gjendje është gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut?
Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është në një gjendje “letargjie”, që nuk respektohet edhe nga ata që e përdorin e kanë gjuhë amtare e lëre më nga pala tjetër. Për zyrtarizmin e gjuhës shqipe shpesh herë është festuar me shampanjë, dhe pas kësaj ka ngelur vetëm shkuma e shampanjës sepse asgjë tjetër konkrete nuk është vërejtur në praktikë.
Megjithatë, ekziston një ligj i cili është i njohur si “Ligji për përdorimin e gjuhëve”, për të cilin ligj nuk mbeti parti shqiptare pa u krenuar se kanë qenë shkaktar për sjelljen e këtij ligji. Por, edhe pas kalimit të këtij ligji pothuajse asgjë nuk ndryshoi për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në nivel republikan. Por, këto “bajraktarët” e zëshëm dikur ranë në gjumë dhe nuk po interesohen për ata se si po rrjedhë zbatimi i këtij ligji në praktikë.
Sa zbatohet gjuha shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në RMV?
Ligji për përdorimin e gjuhëve, në bazë të cilit gjuha shqipe fiton një shtrirje më të gjerë të përdorimit zyrtar në institucionet e Maqedonisë së Veriut, edhe pasi ka hyrë në fuqi përballet me shumë vështirësi që të zbatohet në praktikë. Të gjitha institucionet që nuk e zbatojnë Ligjin për gjuhët mbeten të pandëshkuar si rrjedhojë e pasivitetit të inspektoratit për këtë çështje, përkatësisht për dënimin e shkelësve të këtij ligji.
Përderisa nga Agjencia për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë bërë të ditur se në mbi 90 për qind të institucioneve në Maqedoninë e Veriut, dygjuhësia nuk zbatohet siç përcaktohet në ligj. Përpos, kësaj Agjencie, është themeluar edhe Inspektorati për zbatimin e gjuhës shqipe, institucion të cilin e drejton një shqiptar, nuk ka arritur t’i fut në funksion mekanizmat për gjobitje të atyre institucioneve që nuk e respektojnë ligjin. Me fjalë të tjera gjuha shqipe ndodhet larg realiteti të zyrtarizmit e aq më pak zbatimit të saj në praktikë.
Gjuha shqipe në Kushtetutën e RMV-së është e identifikuar si gjuha që e flasin 20% të popullsisë-
Mungesa e faktorizimit të partisë politike që ka udhëhequr me vendin për 20 vite, BDI-së, ka ndikuar të jetë shkaku kryesor që gjuha shqipe sot gëzon këtë status të mjerueshëm, ku në Kushtetutën e vendit identifikohet me përqindje. Për dallim prej popujve tjerë që e kushtëzojnë vendin me bllokada të ndryshme deri sa qytetarët e etnive të tjera të gëzojnë të drejtat e merituara, populli shqiptarë e politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk e kanë provuar asnjëherë të vendosurit kushte.
Kur flasim për largimin e kësaj përqindjeje për gjuhën shqipe nga Kushtetuta e vendit, politikanët shqiptarë që tashmë janë në opozitë janë ato të cilët tregoheshin “demokratët” më banal të mundshëm që shprehen se kur flasim për këtë çështje nuk duhet kushtëzuar integrimi evropian për gjuhën shqipe. Me këso veprime skandaloze është mjerim për kombin shqiptarë dhe gjuhën shqipe që kush e flet dhe kush i takon këtij kombi.
Kujtojmë që, gjendja e statusi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk do të ndryshojë asnjëherë, madje çka mund të ndodhë është vetëm “përdhosje” edhe më e ulët, me këtë kastër të pa unifikuar që interesin kolektiv e sakrifikojnë për një interes personal partiak e klanor. Politikanë të pa përgjegjshëm, që nuk brengosen për elementin kryesor të një kombi “gjuhën”, kjo dëshmon se edhe gjatë kohë gjuha shqipe do të jetë në këtë gjendje të turpshme, dhe e e pa zyrtarizuar e pa zbatuar. /Zhurnal.mk
BURIMI: zhurnal.mk