Deputeti Bekim Sali, në cilësinë e përfaqësuesit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, mori pjesë në aktivitetet e rregullta vjetore të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Së bashku me kolegët e tij, ai ishte i pranishëm në Forumin Vjetor të 24-t Parlamentar Transatlantik, i organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së dhe Këshilli Atlantik. Forumi u mbajt më 9 dhe 10 dhjetor 2024, në Uashington, SHBA.
Ngjarja mblodhi shumë figura të shquara nga politika dhe diplomacia ndërkombëtare. Diskutimet u përqendruan te uniteti dhe siguria e shteteve aleate të NATO-s në ruajtjen e paqes në nivel global. Gjithashtu, u theksua rëndësia strategjike e fuqizimit të NATO-s për përballjen me sfidat e reja globale.
Deputeti Bekim Sali vlerësoi forumet e tilla si një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s, duke theksuar përkushtimin e RMV-së ndaj prioriteteve dhe vlerave të aleancës.
Burimi: alfax.mk