6
Shkup, 27 nëntor – Transporti publik falas përpos një premtimi falso mbeti edhe një ëndërr e parealizuar për shumë studentë. Kështu ndodhë kur njerëzit e papërgjegjshëm marrin përgjegjësi e nuk arrijnë dot t’i mbajnë fjalët që i japin gjatë fushatës. E tillë është edhe kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e cila u pati takuar me shumë studentë e të rinj u pati premtuar transport publik falas për të gjithë. Por, tashmë është në vitin e fundit të përmbushjes së mandatit të saj që përgjatë katër viteve nuk gjeti as hapësirë e as mundësi ta përmbush edhe këtë premtim për një kategori qytetarësh që janë në ngritje e sipër, shkruan Zhurnal.
Nuk ka transport publik falas për të gjithë studentët –
Transporti publik falas në Shkup vazhdon t’u mohohet studentëve të Universiteteve publiko-private dhe atyre private. Studentët shprehen të revoltuar me këtë vendim dhe thonë se ndjehen të diskriminuar dhe jo të barabartë me kolegët e universiteteve shtetërore të cilët e gëzojnë këtë të drejtë. Zubaide Ashimi udhëton çdo ditë nga fshati Studeniçan për në fakultet dhe thotë se mungesa e transportit publik falas përveç shpenzimeve të dyfishuara kufizon studentët të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme.
“Ky është një diskriminim ndaj nesh për arsye se të drejtat tjera na lejohen, subvencionin ushqimor e marrim, të drejtë për të aplikuar për bursë shtetërore kemi mirëpo kjo e transportit publik nuk na lejohet. Unë jam viti i tretë në studime dhe udhëtoj privat me shpenzimet e mia. Universiteti jonë është publiko-privat, nuk është vetëm privat, përderisa një pjesë I takon edhe shtetit mendoj që na takon kjo e drejtë t’i marrim këto”, tha studentja Zubaide Ashimi, për Alsat.
Ndërkohë, Lindita Ferati e cila çdo ditë udhëton nga Kumanova për në Shkup dhe anasjelltas tha se janë të pa përmballueshme shpenzimet e rrugës kundrejt të ardhurave që ka një familje.
“Pavarësisht institucionit të cilin ne e zgjedhim t’i kryejmë studimet ne nuk duhet të përjashtohemi nga e drejta e transportit publik sepse të gjithë studentët jemi taksa pagues dhe jemi banorë të këtij qyteti apo qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Universitetet kanë studentë të cilët vijnë prej shumë më larg, jo vetëm prej Kumanovës, kam kolegë që udhëtojnë edhe nga Dibra andaj duhet të merret kjo parasysh sepse shpenzimet…jashtë normales realisht janë edhe nëse ne duam jashtë qendrës të universitetit të udhëtojmë atëherë kjo është paksa e pamundur duke pas parasysh edhe rrogat minimale apo mundësitë që ofrohen këtu”, tha studentja tjetër Lindita Ferati, për Alsat.
Arsovsksa po dështon, ka premtuar transport publik falas ka realizuar kaos në transport –
Qyteti i Shkupit, kryeqyteti i vendit po udhëhiqet për herë të parë që nga pavarësia nga një grua, Danella Arsovska, por skandalet nuk po përfundojnë edhe me këtë udhëheqësi të re. Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetarja e tanishme, kishte deklaruar borxhi i kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut është i madh. “Borxhi i plotë i Qytetit të Shkupit është 50 milion euro” ka thënë Arsovska. Por, edhe përkundër kësaj shume të madhe që është zhytur në borxh qyteti i Shkupit, kryetares nuk i bëhet vonë të shpërblejë “Vardarin” me 250 mijë euro.
Por, Arsovska edhe duke e ditë që borxhi në qytetin e Shkupit është jashtëzakonisht i madh, sërish merr vendime dhe nuk tërhiqet pas, pa çka se shoferët e autobusëve kërkonin pagat për mundin e tyre, pa u menduar dy herë ka ndërprerë kontratat me agjenci transportuese të cilëve u ka borxh rreth 2 milionë euro, dhe me këtë vendim shumë qytetarë ka lënë pa transport publik, sepse këto agjenci kanë mbuluar shumë linja që kanë qenë në shërbim të qytetarëve.
Kjo është e qartë se sa ka kujdes për qytetarin në Shkup nga organet përgjegjëse, protesta pa ndal, i tërë Shkupi i bllokuar, Arsovska thoshte që nuk do ta tërheq vendimin e saj, ndërkaq shoferët kërkonin vetëm pagat e tyre asgjë më shumë. Situatë delikate që komplikohej edhe më shumë nga një menaxhere jo e mirë që nuk diti të udhëheq me qytetin e Shkupit.
Megjithatë, e dyshuara për posedim të shtetësisë Bullgare, tash më në krye të qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, fituese e zgjedhjeve lokale me ndihmën dhe përkrahjen e pa rezervë nga dy partitë politike shqiptare që ishin në koalicion Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Këto dy parti politike i besuan Arsovskës, votuesit i besuan partive, por ky besim i dyfishtë sjelli zhgënjim të shumëfishë për shqiptarët nga kjo kryetare që nuk i përfill shqiptarët askund.
Kujtojmë që, Danella Arsovska ka dështuar thellësisht me realizimin e premtimeve në vendbanimet shqiptare, prandaj ajo po del të jetë edhe më e dobët sesa kryetari para saj, Petre Shilegov. Qytetarët kishin nevojë për ndryshim prandaj edhe e ndryshuan bartësin e ndryshimeve, por fatkeqësisht gjendja vazhdon të mbetet e njëjta. Arsovska përpos që nuk ka bërë asgjë, ajo gjatë kësaj periudhe ka rënë në kontraditë shpesh me vendimet e saja, që nuk u bë rahat me drejtorët, kur i emëron i prezanton si prurje fantastike dhe njerëz të duhur, muaj më vonë i shkarkon duke i cilësuar si jo të duhur. Tani kjo është shenjë shumë e qartë që tregon se Arsovska nuk ia ka idenë menaxhimit. /Zhurnal.mk
BURIMI: zhurnal.mk