Klubit anglez, Arsenal, iu ofrua shansi për të nënshkruar këtë verë me mesfushorin Arthur Melo nga Juventusi, para se mesfushori brazilian t’i bashkohej Liverpoolit.
Pasi u zbulua se Thomas Partey do të humbiste disa ndeshje dhe se kolegu i tij në mesfushë, Mohammad Elneny pësoi dëmtim afatgjatë në gjurin e tij në fitoren e Arsenalit kundër Fulhamit, “Topçinjtë” ishin të etur për të blerë një mesfushor në ditët e fundit të afatit kalimtar veror.
Raportohet se Arsenali u përpoq të nënshkruante me Douglaz Luiz në ditën e fundit të merkatos, me ofertën e tyre më të lartë që prekte shumën e 30 milionë eurove plus bonuset, por Aston Villa e refuzoi këtë dhe Arteta duhej të pajtohej me skuadrën që tashmë e ka në dispozicion e tij.
Megjithatë, një raportim i fundit nga “The Athletic” ka zbuluar se Arsenalit iu ofrua shansi për të nënshkruar me Arthur Melon nga Juventusi.
Edhe pse 26-vjeçari ishte një objektiv i skuadrës londineze në janar, kjo e fundit refuzoi mundësinë për të siguruar nënshkrimin e tij këtë verë.
Në vend të kësaj, Melo nënshkroi për Liverpoolin në ditën e fundit të merkatos, në një marrëveshje huazimi për një vit.