Arsenali kërkon që të afrojë në ekip një sulmues të mirëfilltë që garanton gola. “Topçinjtë” do të futen fuqishëm në merkaton e ardhshme verore për një sulmues të tillë dhe tashmë kanë ‘piketuar’ edhe të preferuarin.
Bëhet fjalë për Viktor Gyokeres. Sulmuesi suedez po shkëlqen dhe po tregon aftësi të jashtëzakonshme këtë sezon me fanellën e Sportingut të Lisbonës në Portugali. Kjo formë fantastike ka fituar vëmendjen e disa klubeve ‘big’, por Arsenali është në ‘pole-position’.
Sipas mediave angleze, ‘Topçinjtë’ kanë gati plot 86 milionë paund. Një shumë mjaft e lartë që do t’i ofrohet Sportingut për sulmuesin 25-vjeçar, me klubin portugez që vështirë ta refuzojë diçka të tillë.
Në krahun tjetër Viktor Gyokeres shihet mjaft produktiv dhe i duhuri nga drejtuesit e Arsenalit për të përforcuar repartin ofensiv. Në këtë sezon, Gyokeres ka shënuar 36 gola dhe ka asistuar në 15 të tjerë.