Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi është arritur marrëveshja për liberalizim të vizave mes Këshillit dhe Parlamentit të Bashkimit Evropian, në të njëjtën ditë kur u nënshkrua aplikimi i Kosovës në BE.
Kurti përmes një cicërime në Twitter tha se këto dy zhvillime, që u bënë njëkohësisht, dëshmojnë progresin e Kosovës drejt BE-së.
“Sot, kur Republika e Kosovës bëri hapin e saj të parë drejt anëtarësimit në BE, Këshilli dhe Parlamenti i Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë deri në janar të vitit 2024 – konfirmim më i madh i progresit tonë në agjendën e reformave të BE-së”, shkroi kryeministri Kurti në Twitter.
Today, as the Republic of Kosova took its first step toward EU membership, the Council and Parliament of the European Union reached agreement on visa liberalization for our citizens by January 2024 — more confirmation of our progress on EU reform agenda.
— Albin Kurti (@albinkurti) December 14, 2022
Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
“Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”, thuhet në këtë njoftim.
ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.
Në emër të PE-së negociatat me Këshillin i ka zhvilluar raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, holandezi Thijs Reuten.
“Më në fund qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë për pushime, vizita familjare apo për arsye biznesi në BE, pa pasur nevojë të aplikojnë për viza. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, tha ai.
Tani marrëveshja duhet të votohet në Komisionin për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) në Parlamentin Evropian, e më pas edhe në seancën plenare. Pas kësaj konfirmohet nga Këshilli i BE-së.
Pas përfundimit të këtyre procedurave, qytetarët do të mund të udhëtojnë drejt BE-së më së largu më 1 janar 2024.
Kjo marrëveshje konsiderohet sukses i Presidencës Çeke të Bashkimit Evropian.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.
Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.