Arrestimi i ish-lojtarit të përfaqësuese së Iranit, Ali Daei, ka bërë që në atë vend të plasin protestat.
Daei nuk është i vetmi futbollist ose ish-futbollist iranian që ka dalë pak a shumë hapur në mbështetje të grave iraniane. Hossein Mahini, një lojtar ende aktiv, përfundoi në pranga në fillim të tetorit.
Ish-lojtari i Bayern Munich, Ali Karimi, po ashtu ka marrë një urdhër arresti në Dubai. Edhe sulmuesi aktual i Bayer Leverkusen, Sardar Azmoun, ka mbështetur publikisht gratë iraniane në rrjetet sociale.
Me pak fjalë, regjimi nuk kursen askënd. As një ikonë të vërtetë iraniane. Dhe jo vetëm. Ali Daei njihet se ka qenë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në të gjitha ekipet kombëtare përpara se Ronaldo ta kalonte atë, me fanellën e Iranit ai kishte shënuar 109 gola në 149 paraqitje ndërmjet viteve 1993 dhe 2006.
Pas tërheqjes nga futbolli ai u aktivizua si trajner i kombëtares iraniane midis 2008 dhe 2009.