Pas bastisjes së dhjetëra lokacioneve në 11 shtete federale të Gjermanisë, policia gjermane ka arrestuar 25 persona, të cilët dyshoheshin për komplot për rrëzimin e Qeverisë.
Raportimet gjermane thonë se grupi i figurave të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarakëve, planifikonte të sulmonte ndërtesën e parlamentit, Reichstag, dhe të merrte pushtetin.
Në krye të grupit dyshohet se ishte një 71-vjeçar, të cilit i referoheshin si princi Heinrich XIII.
Pjesë e këtij grupi thuhet se janë anëtarë të lëvizjes ekstremiste “Reichsbuerger” apo “Qytetarët e Rajhut”, të cilët janë prej kohësh në vëzhgimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste.
Ata gjithashtu refuzojnë të njohin shtetin modern gjerman.
Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë bërë komplot për të përmbysur Republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871./REL