Arrestimi i një afgani nga FBI-ja nxjerr në pah kërcënimin nga Shteti Islamik-Khorasan

min lexim

Arrestimi i një burri afgan nga FBI-ja, nën dyshimet se planifikonte një sulm në ditën e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, nxjerr në pah kërcënimin në rritje që paraqet grupi ekstremist Shteti Islamik-Khorasan (IS-K) për Perëndimin.

Nasir Ahmad Tawhedi, shtetas afgan që jeton në SHBA, planifikonte të kryente sulm më 5 nëntor, në emër të IS-K-së, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Me bazë në Afganistan, IS-K ka kryer disa sulme shkatërruese në Rusi, Iran dhe Taxhikistan, viteve të fundit.

“IS-K përbën një kërcënim të rrezikshëm si për rajonin, ashtu edhe për Perëndimin”, thotë Abdul Sayed, studiues me bazë në Suedi, i cili gjurmon militantët në Afganistan dhe Pakistan.

“IS-K nuk është i kufizuar vetëm në Afganistan. Ai funksionon me agjendë globale dhe ka një rrjet që funksionon si në nivel rajonal, ashtu edhe ndërkombëtar”, thotë ai.

Rreth 140 persona u vranë në sulmin e IS-K në një sallë koncertesh në Moskë në mars.

IS-K konsiderohet si dega më aktive dhe më e fuqishme nga të gjitha degët rajonale të Shtetit Islamik (IS) – grup ekstremist që pushtoi pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë në vitin 2014.

IS-i, më pas, u mund nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja.

IS-K u themelua në Afganistan në fund të vitit 2014 dhe pushtoi territore të vogla, si pjesë e një agjende më të gjerë të IS-it për t’u shtrirë në të gjithë Azinë Jugore dhe Qendrore.

Por, ai u vu shpejt në shënjestër të forcave afgane dhe ndërkombëtare, si dhe talibanëve – një grup rival militant.

Kërcënimi nga IS-K është rritur që nga tërheqja ushtarake e SHBA-së nga Afganistani dhe rënia e Qeverisë afgane – të mbështetur nga Perëndimi – në vitin 2021, thonë analistët.

Talibanët, të cilët më pas kanë marrë pushtetin në Afganistan, kanë bërë një luftë brutale kundër IS-K-së, duke vrarë ose kapur komandantët e tij kryesorë dhe qindra luftëtarë të tij.

Megjithatë, IS-K ka një strategji të luftës urbane dhe mbetet forcë rezistuese.

Radhët e grupit janë përforcuar me luftëtarë të huaj, sidomos nga ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore.

Kjo i ka mundësuar IS-K-së – që përpiqet të krijojë një kalifat ose shtet islamik në Khorasan, një rajon historik që përfshin pjesë të Afganistanit të sotëm, Pakistanit, Iranit dhe Azisë Qendrore – t’i vazhdojë sulmet në Afganistan dhe gjetkë.

Në mars, militantët e IS-K-së sulmuan një sallë koncertesh jashtë Moskës, duke vrarë rreth 140 njerëz.

Shfrytëzimi i zemërimit

Ekspertët thonë se grupet ekstremiste si IS-K janë përpjekur ta shfrytëzojnë zemërimin mes myslimanëve, prej se Izraeli ka filluar luftën e tij shkatërruese në Rripin e Gazës – enklavë e populluar me palestinezë.

Kjo luftë ka nisur pasi Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja – ka kryer një sulm kundër Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz.

Izraeli, së voni, e ka zgjeruar luftën e tij, duke bombarduar nga ajri dhe duke pushtuar nga toka Libanin.

Ai thotë se ka në shënjestër Hezbollahun – grup i armatosur dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.

Lucas Webber, studiues në Qendrën Soufan, thotë se IS-K ka qenë i zëshëm në thirrjet për sulme kundër Perëndimit, në vazhdën e konfliktit në Lindjen e Mesme.

“[IS-K] ka një aparat të fuqishëm propagandistik shumëgjuhësh”, thotë Webber për Shërbimin afgan të Radios Evropa e Lirë.

“Ai mund të ketë qasje te shumë komunitete të diasporës, për të krijuar mbështetje dhe për të mobilizuar mbështetës të dhunës”, thotë ai.

Webber thotë se IS-K dhe rekrutuesit e tij kanë pasur në shënjestër Evropën. Tani, “kemi filluar të shohim rritje të aktivitetit në Amerikën e Veriut dhe në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht”, sipas tij./REL

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Rama dështoi përsëri, autobusët e ri s’vijnë as në janar

Story i radhës

Maqedonia në Jerevan, nesër luan ndaj Armenisë

Të fundit nga