Tirana dhe Dinamo do të përballen për të 148-tën herë në kampionatet shqiptare, por për herë të parë do ta bëjnë 150 kilometra larg kryeqytetit, në Vlorë. Pas tetë javëve në Abissnet Superiore, blutë kanë pesë pikë më tepër se bardheblutë.
Dy stadiume dhe dy fusha të tjera të licensuara në kryeqytetin shqiptar, si Arena e Demave apo Shtëpia e Futbollit nuk mjaftojnë për të pritur një nga ndeshjet më të ndjera në kampionat, midis Tiranës e Dinamos. Dy rivalët tradicionalë janë ndeshur 147 herë në kampionate, pa llogaritur dhjetëra herë të tjera në Kupën e Shqipërisë apo kompeticione të tjera më të vogla, por për herë të parë do ta zhvendosin përballjen mes tyre në stadiumin Flamurtari të Vlorës.
situatë jo e panjohur për Dinamon, gjithmonë në udhëtim edhe për ndeshjet brenda, por me fenomenin tashmë duket se do të familjarizohen edhe bardheblutë, që pasi pritën Egnatian në Durrës tani do të udhëtojnë 150 kilometra larg Tiranës për të bërë të zotin e shtëpisë kundër Dinamos.
E pazakonta tjetër e derbit të 148-të, të paktën për 15 vitet e fundit, është që bardheblutë e shohin kundërshtarin pesë pikë sipër tyre, kur kanë kaluar vetëm tetë javë në Abissnet Superiore.
Në sezonin e kaluar, Tirana fitoi tri nga katër përballjet me blutë, të gjitha me rezultatin 3-2, ndërsa një takim u mbyll 1-1. Fitorja e fundit e Tiranës ka qenë më 17 mars të këtij viti, ndërsa për blutë suksesi i fundit ishte më 21 maj 2022, kur fitonin 2-1 dhe zbrisnin sërish në Kategorinë e Parë.
Në kampionatin aktual, Dinamo vjen nga gjashtë rezultate pozitive radhazi, dy të fundit fitore, ndërsa Tirana pas humbjes së parë të sezonit, pësuar nga Teuta vetëm një javë pasi kishte arritur fitoren e parë pas serisë prej gjashtë barazimesh radhazi.
Burimi: botasot.info