Protesta sipas stilit çek ku mijëra qytetarë mbushën sheshet kundër qeverisë parashikohen të mbahen edhe në Gjermani. Opozita në këtë shtet ka bërë thirrje për një vjeshtë të nxehtë protestash lidhur me rritjen e çmimeve të nxitur nga sanksione kundër Rusisë.
Skenari çek me rreth 70 000 protestues të irrituar kundër rritjes së çmimeve mund të zbresë edhe nëpër sheshet e Gjermanisë.
Opozita gjermane në disa qytete kryesore të vendit pritet të mbledhë mijëra qytetarë në tubime anti-qeveritare duke filluar nga e hëna.
Sindikatat po kërcënojnë me protesta që lidhen me rritjen e lartë të çmimit të energjisë, ndërsa Partia e Majtë dhe Alternativa për Gjermaninë po mobilizohen për një vjeshtë të nxehtë protestash nën moton kundër indiferencës sociale.
Një ndër sloganet kryesore të tyre do të jetë edhe ‘Gjermania e para!’, përmes së cilës kundërshtohet ndihma e vazhdueshme financiare dhe ushtarake ndaj Ukrainës nga qeveria e Olaf Scholzit.
Socialdemokratët të cilët qeverisin në koalicion me të gjelbrit i druhen seriozisht bashkimit të forcave të së majtës dhe së djathtës të cilët janë të pakënaqur me politikën e qeverisë për trajtimin e krizës energjetike, duke promovuar interesin e Kievit dhe jo të qytetarëve gjermanë.
Me ardhjen e dimrit shumë shtete evropiane i tremben krizës energjetike e cila lidhet me ndërprerjen e eksporteve të gazit rus, pasi kompania Gazprom ka ndërprerë disa herë furnizimin me lëndën djegëse të kontinentit evropian.
Edhe pse Moska pretendon se ndërprerja ka të bëjë me mirëmbajtjen e tubacioneve shumë i tremben frikës se Rusia e përdor atë si një armë për të goditur evropianët.