Një armëpushim midis Indisë dhe Pakistanit është duke u zbatuar kryesisht, megjithëse të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes vetëm disa orë pas nënshkrimit të saj.
Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, synon ndaljen e valës më të fundit të dhunës në rajonin e kontestuar të Kashmirit.
India dhe Pakistani u pajtuan për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve të shtunën, njoftuan presidenti amerikan, Donald Trump, dhe zyrtarë nga të dyja vendet e Azisë Jugore, pasi përshkallëzimi i luftimeve ndërmjet fqinjëve me armë bërthamore kishte nxitur frikën për një luftë të përgjithshme.
“Pas një nate të gjatë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, jam i kënaqur të njoftoj se India dhe Pakistani kanë rënë dakord për një ARMËPUSHIM TË PLOTË DHE TË MENJËHERSHËM”, tha Trump në një postim në platformën e tij Truth Social. “Urime të dyja vendeve për përdorimin e arsyes së shëndoshë dhe inteligjencës së lartë”.
Më vonë, marrëveshja për armëpushim u konfirmua edhe nga zyrtarë të lartë indianë dhe pakistanezë.
Më gjithë armëpushimin e arritur, India dhe Pakistani e akuzuan njëra-tjetrën për shkelje në orët pasuese.
Sekretari i Jashtëm i Indisë, Vikram Misr, tha se Islamabadi ka shkelur vazhdimisht marrëveshjen dhe, sipas BBC-së, shpërthime u dëgjuan në Srinagar, në pjesën e Kashmirit të administruar nga India.
“Për disa orët e fundit, ka pasur shkelje të përsëritura të marrëveshjes që arritëm më herët këtë mbrëmje”, tha Misri, duke shtuar se forcave indiane u ishin “dhënë urdhra për të vepruar me forcë ndaj shkeljeve”.
Ministria e Jashtme e Pakistanit akuzoi Indinë për shkelje nga ana e saj dhe deklaroi se forcat pakistaneze “po e trajtojnë situatën me përgjegjësi dhe përmbajtje”.
Megjithatë, situata duket se u qetësua më vonë të dielën, me raportime që tregonin se armëpushimi po zbatohet kryesisht.
Në qytetin verior të Kupvarës, në Kashmirin e administruar nga India pranë Vijës së Kontrollit – kufiri de facto me pjesën e kontrolluar nga Pakistani të rajonit të kontestuar – banorët u shprehën se ndiheshin të lehtësuar.
“Jemi të lumtur që po e shohim këtë”, tha për Reuters banori lokal Anas Khan. “Kjo është gjë e mirë. Askush nuk do luftë. Nuk ka zgjidhje përmes luftës. Zgjidhja vjen vetëm përmes dialogut”.
Një tjetër banor, Nazram Ali, përshkroi pasojat e ditëve të fundit.
“Po përballeshim me shumë vështirësi për shkak të granatimeve përgjatë kufirit”, tha ai. “Nga fëmijët te të moshuarit, të gjithë qëndruam brenda gjatë ditës dhe u zhvendosëm në fshatra të tjera gjatë natës për shkak të të shtënave. Jemi shumë të lumtur që tani ka armëpushim.”
Tensionet mes dy fuqive bërthamore u rritën ndjeshëm pas një sulmi më 22 prill në një zonë turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India.
Qeveria e Indisë fajësoi Pakistanin për mbështetjen e këtij sulmi, por Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.
India dhe Pakistani, të cilët fituan pavarësinë nga Britania në vitin 1947, kanë zhvilluar tri luftëra të plota në vitet 1948, 1965 dhe 1971, si dhe një konflikt të kufizuar në vitin 1999.
Çështja kryesore mbetet lugina e Kashmirit, të cilën India e konsideron pjesë të pandashme, ndërsa Pakistani e sheh si “çështje të papërfunduar të ndarjes” të nënkontinentit indian.
Kashmiri është i ndarë mes tri vendeve me armë bërthamore. India kontrollon rreth 45 për qind të tij, Pakistani rreth 35 për qind, dhe Kina – pas një lufte të shkurtër me Indinë në vitin 1962 – mban 20 për qind./REL
Burimi: botasot.info