Armenia dhe Azerbajxhani bëjnë përparim drejt marrëveshjes së paqes

April 7, 2022
min lexim

Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit janë pajtuar që të nisin hartimin e një “traktati dypalësh të paqes” dhe të formojnë një komision të përbashkët për demarkimin e kufirit të përbashkët. Këto zotime ata i bën gjatë bisedimeve që u ndërmjetësuan nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Të gjithë sl bashku kemi vendosur për të nisur një proces konkret, për t’u përgatitur për një traktat të mundshëm paqeje dhe për të adresuar të gjitha elementet e nevojshme të një marrëveshjeje të tillë”, tha Michel për gazetarët në orët e vona të 6 prillit, pas takimit trelateral me kryeministrin armen, Nikol Pashinian dhe presidentin azerbajxhanas, Ilham Aliyv.

“Jam i bindur se sonte morëm një vendim të rëndësishëm në drejtimin e duhur. Kjo nuk nënkupton që gjithçka është zgjidhur, por do të thotë se ne kemi arritur përparim”, tha ai.

Në një deklaratë të shkruar të lëshuar më vonë, Michel tha se Aliyev dhe Pashinian u zotuan “që të lëvizin shpejt” drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që ka për synim të zgjidhë konfliktin në Nagorno Karabak. Ata kanë udhëzuar ministrat e tyre të Jashtëm të “punojnë në përgatitjen” të një marrëveshjeje të tillë, u tha në deklaratën e lëshuar nga Michel.

Edhe Qeveria armene përmes një deklarate konfirmoi se ka udhëzuar Ministrinë e Jashtme që të punojë në hartimin e një marrëveshjeje.

Baku tha se dëshiron që marrëveshja e paqes të bazohet në pesë elemente, përfshirë edhe njohjen reciproke të integritetit territorial. Pashinian publikisht ka deklaruar se për Jerevanin është e pranueshme në parim, duke nxitur deklarime nga opozita armene se ai është i gatshëm të njohë sovranitetin e Azerbajxhanit mbi rajonin e Karabakut.

Pas takimit, Michel tha se dy palët janë pajtuar që në fund të prillit të nisin bisedimet në komisionin e përbashkët të kufirit.

Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit veçse ishin pajtuar për një komision të tillë gjatë bisedimeve në nëntor të vitit 2021 në Soçi, takim që u ndërmjetësua nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por i gjithë territori dhe shtatë rrethet përreth u kontrolluan nga forcat etnike armene që nga përfundimi i një lufte separatiste më 1994.

Në shtator të vitit 2020, Azerbajxhani nisi një ofensivë ushtarake përmes së cilës mori kontrollin e shtatë rretheve përreth, dhe një pjesë të konsiderueshme të vetë Nagorno Karabakut.

Konflikti përfundoi kur Armenia nënshkroi një marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia që i dha Azerbajxhanit kontrollin mbi pjesët e Nagorno Karabakut dhe territoret ngjitur të pushtuara nga armenët./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Çfarë e nxit miqësinë mes një mashkulli dhe një femre

Story i radhës

Qeveria shqiptare ta shfuqizoj Traktatin e Miqësisë me Rusinë dhe projektin e “Ballkanit të Hapur”

Të fundit nga

ShkoLartë