Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, mori pjesë në protestën e zhvilluar në Tiranë, ku ishte i shoqëruar edhe nga djali i tij. Në një prononcim për në emisionin ‘NOW’ me Erla Mëhillin, Qori tha se në momente të tilla politikanët duhet të flasin më pak dhe të dëgjojnë më shumë qytetarët.
“Detyra e politikanëve është të përfaqësojnë popullin kur populli merret me punët e veta të përditshme. Tashmë populli është në rrugë, e ka marrë sovranitetin aktiv. Kështu që unë jam thjesht një grimcë në oqeanin e madh të shoqërisë shqiptare që po proteston”, u shpreh ai.
Qori tha se ka qenë pjesë e protestave që nga dita e parë, duke kujtuar se Lëvizja Bashkë ishte pranë banorëve të Zvërnecit që në fillim të kundërshtimit të projektit.
Sipas tij, protesta ka tejkaluar tashmë çështjen e Zvërnecit dhe është kthyer në një shprehje më të gjerë të pakënaqësive të qytetarëve.
““Fatmirësisht lajmi u përhap dhe tashmë populli ka nisur rrugën e vet. Tashmë dihet që Zvërneci nuk është më një kauzë e vetme, por është pasuar nga kauza të tjera jetësore për qytetarët shqiptarë. Zvërneci, Rrjolli e kudo tjetër ku shpronësohen qytetarët e ku shkatërrohet natyra, vazhdon të jetë kauzë. Por është e vërtetë që në shesh ka zbritur i gjithë mllefi i shoqërisë shqiptare për të gjitha padrejtësitë që ne pësojmë, dhe thelbi i kësaj pakënaqësie është emri i Edi Ramës si kryeministër, dhe emrat e Ramës dhe të Berishës si përfaqësuesit tipikë të një sistemi të vjetër dhe të korruptuar politik”, tha Qori.
I pyetur për praninë e djalit të tij në protestë, Qori tha se tubimi është një hapësirë ku marrin pjesë qytetarë të të gjitha moshave.
“Protesta ka qenë përplot me fëmijë, madje edhe me foshnja disa muajshe, sepse është shprehja më e bukur e asaj që ndjen çdo qytetar në zemrën e vet. Pa diskutim, fëmijët, të moshuarit, gjithkush është pjesë e kësaj proteste”, tha Qori.
Burimi: botasot.info


