Çmimi i arit ka shënuar rritje në tregjet ndërkombëtare, i mbështetur nga dobësimi i dollarit amerikan dhe pasiguria rreth politikës së normave të interesit në SHBA, përcjell KosovaPress.
Sipas “Barron’s”, kontratat e arit në Nju-Jork u rritën me 1.4 për qind, duke arritur në 4,216.70 dollarë për ons, gjatë tregtimit të hershëm evropian. Rënia e lehtë e dollarit e bëri arin më të lirë për blerësit që përdorin valuta të tjera.
Edhe media tjera prestigjioze ndërkombëtare raportuan se ari është rikuperuar pas rënieve të mëhershme, ndërsa investitorët po vlerësojnë drejtimin e Rezervës Federale amerikane dhe shqetësimet për nivelin e lartë të borxhit në SHBA.
Ekspertët theksojnë se normat më të larta të interesit zakonisht e ulin tërheqjen e arit, pasi ky metal nuk jep interes. Megjithatë, pasiguria ekonomike, borxhi publik dhe tensionet gjeopolitike vazhdojnë ta mbajnë arin si aset të kërkuar për investitorët që kërkojnë siguri.
Në tregjet globale, lëvizjet e arit po ndiqen me kujdes edhe për shkak të pritjeve për vendimet e ardhshme të Rezervës Federale. Investitorët po vlerësojnë nëse banka qendrore amerikane do të vazhdojë me rritje të normave apo do të zgjedhë një qasje më të kujdesshme në muajt në vijim.
Burimi: botasot.info


