Deputeti i PD, Flamur Noka ka deklaruar se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tashmë do drejtohet nga Ardi Veliu, i cili është rikthyer në Policinë e Shtetit, pasi u shkarkua si zv.ministër i Transportit.
Nga selia e PD, Noka tha se Ardi Veliu është kampion në shkelje ligjore dhe etike, ndërkohë që ka akuzuar ish-drejtorin e Policisë së Shtetit si person me lidhje kriminale. “Me këto dy rekdore të zeza, Partia Demokratike paralajmëron se Ard Veliu është rikthyer, jo për ta mbikëqyrur Policinë, por për t’u siguruar se në zgjedhjet e ardhshme ajo do të jetë sërish dora e zgjatur dhe e pandëshkuar e Rilindjes në proces. Si dhe për të ruajtur lidhjet e vjetra me botën e krimit”, theksoi ai.
Flamur Noka ka kujtuar ngjarjen e Elbasanit ku u vra Pjerin Xhuvani, duke thënë se Ardi Veliu gënjeu publikisht dhe prishi provat.
“Rikthimi i njërit prej përgjegjësve të kriminalizmit të Policisë në vendin e krimit, është një ogur i keq i kësaj qeverie për çdo shqiptar q ë kërkon rend, siguri dhe një polici në shërbim të qytetarëve.
Ardi Veliu, ish-drejtori famëkeq i Policisë së Shtetit, është kthyer në strukturën policore.
Ai do të drejtojë Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore e cila, siç sugjeron emri, do të kontrollojë policët për shkelje etike dhe ligjore. Siç thotë populli: i varin ujkut zorrët në qafë.
Ardi Veliu është kampion i shkeljeve etike dhe ligjore.
Ai është kryepolici i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar, me dorën deri në bërryl në qypin e korrupsionit.
Ardi Veliu, mbi të gjitha, do të kujtohet për korruptimin strukturor të Policisë së Shtetit. Me korruptim strukturur duhet të kuptojmë politizimin deri në palcë, duke e kthyer armën e Policisë në pisqollë të Rilindjes.
Gjithashtu Veliu është kryepolici që infektoi policinë e shtetit me virusin e prekjes dhe përfshirjes në zgjedhje.
Me këto dy rekdore të zeza, Partia Demokratike paralajmëron se Ard Veliu është rikthyer, jo për ta mbikqyrur Policinë, por për tu siguruar se në zgjedhjet e ardhshme ajo do të jetë sërish dora e zgjatur dhe e pandëshkuar e Rilindjes në proces. Si dhe për të ruajtur lidhjet e vjetra me botën e krimit.
Ardi Veliu e ka mbi vete damëkn e Elbasanit në zgjedhjet e shkuara. Jo vetëm peshën e një vrasjeje, por edhe prishjen e provave në vendngjarje.
Riqarkullimi i Veliut nuk është thjesht kriza për kuadro të ndershëm në Polici, por filozofia e kryeministrit, ministrit dhe kësaj qeverie, sipas të cilëve monitorimi i Policisë u lihet të inkriminuarve.
Partia Demokratike e sheh si të rrezikshëm dhe provokativ këtë emërim. Duke e ndarë armën e policisë nga pisqollat e pushtetit, ne garantojmë, si policët e ndershëm, ashtu dhe opinionin publik, se të korruptuarit dhe vrasësit e mitit të shtetit, siç është Ardi Veliu, do të japin llogari për çdo përfshirje në korruptim dhe inkriminim”, theksoi Noka.