Federata e Futbollit e Kosovës ka ndarë edhe këtë javë çmimin “Ylli i javës” në Superligën e Kosovës.
Epitetit i më të mirit për javën e 10-të i ka takuar futbollistit të Gjilanit, Arbnor Ramadani.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit.
Ramadani ishte shpëtimtar i skuadrës gjilanase, pasi në duelin me Ferizajn realizoi golin e barazimit në minutën e dytë të lojës shtesë. Përveç golit, Ramadani u dallua me lojë të mirë gjatë tërë ndeshjes.
Pasi mori çmimin, Ramadani theksoi se ndihet mirë për vlerësimin dhe se atë e sheh si motivim për të ardhmen.
“Ky çmim besoj që do të më shërbej si një motivim shtesë për ndeshjet në vazhdimësi. @scgjilani përkundër problemeve të cilat janë të njohura për opinionin, po arrin ta mbajë hapin me skuadrat tjera. Edhe më tej do të synojmë kreun e tabelës dhe uroj që sa më shpejt problemet e klubit të gjejnë zgjidhje. Ne kemi skuadër të fortë dhe kualiteti na lejon që të besojmë dhe të punojmë për kreun e tabelës“, ka theksuar Arbnor Ramadani për faqen zyrtare të FFK-së.