Janë zhvilluar sot pesë ndeshje të javës së dytë të sezonit 2023/2024 në Kategorinë e Parë. Ndërkohë që të enjten do të zhvillohet edhe dueli i fundit i javës: AF Elbasani-Vora.
Bylisi siguroi një sukses tepër të rëndësishëm në transfertë kundër Flamurtarit. Goli i Serxhio Eminit në mesin e pjesës së dytë, i dhuroi skuadrës ballshiote triumfin 0-1.
Dhe kreun e renditjes bashkë me Apoloninë, me këta të fundit që fituan 0-1 përballë Korabit. Fierakët shënuan herët me anë të nigerianit Eneh, dhe ia dolën të merrnin tri pikë të arta për objektivin Superiore.
Me të njëjtin rezultat triumfoi edhe Tomori në shtëpi kundër Luzit. Falë golit të brazilianit Luiz pas gjysmë ore lojë. Ekipi beratas numëron katër pikë dy javëve të para.
“Festival” golash në Besa-Lushnja. Në fund festuan vendasit falë suksesit 4-3. Denis Balla dhe Arbër Deliu i dhuruan Besës avantazhin e dyfishtë, por Mikel Canka rihapi takimin në fundin e pjesës së parë.
36-vjeçari lushnjar shënoi sërish me fillimin e së dytës, duke barazuar përkohësisht sfidën. Por lojtarët e skuadrës kavajase, gjetën forca dhe shënuan edhe dy gola të tjerë.
Albi Xhabrahimi (penallti) dhe Ermir Spahiu vulosën fitoren e Besës, teksa nigeriani James Ayinde shënoi të tretin për lagunarët pesë minuta përpara fundit.
Kjo ishte fitorja e parë sezonale për verdhezinjtë, ndërkohë që Lushnja mbetet ende në kërkim të pikëve të para. Pa gola përfundoi përballja Burreli-Kastrioti.