Agjencia e Menaxhimit Emergjent që është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme iu ka bërë apel qytetarëve për aktivizëm në parandalimin e zjarrvënieve ne pyje dhe hapësira të tjera, publike dhe private.
Në njoftim thuhet se shkaku i temperaturave të larta, rritet edhe rreziku për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve.
“Të nderuar qytetarë, meqenëse kemi hyrë në sezonin e verës që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore e me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit.
Të jemi të gjithë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, vërejtjen dhe lajmërimin me kohë në numrat emergjent pa pagesë 112 dhe 193, si dhe të ndihmojmë në shuarjen e zjarrit” kudo që ai mund të paraqitet dhe kërcënon, pasi që për një veprim të tillë përveç tjerash na obligon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës si dhe aktet tjera ligjore dhe nënligjore”, thuhet në njoftim.
Vlen të theksohet se zjarrvëniet e qëllimta, si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia, janë vepër penale të cilat sanksionohen me ligj.