17 janar – Kryetari i partisë E majta, Dimitar Apasiev sot dorëzoi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për “mbrojtje të të drejtës për veprimi politik dhe ndalesë të diskriminimit në bazë të përkatësisë politike”, sipas nenit 110 alineja 3 e Kushtetutës, informoi partia.
Nga E majta bëjnë të ditur se me kërkesë të Apasievit, Gjykata Kushtetuese tashmë ka formuar lëndë dhe është e detyruar që të vendosë në procedurë të shkurtër.
Sipas partisë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e ka suspenduar demokracinë dhe i shkel Kushtetutën dhe ligjet, sepse nuk lejon deklarim në referendum për të ashtuquajturin “propozimi francez”.
“Talat Xhaferi edhe krahas detyrimeve të qarta të rregullores, refuzon ta ndjekë nismën për referendum të ngritur nga Dimitar Apasiev në organet kompetente të punës në kuvend dhe jashtëligjshëm e uzurpon kompetencën e plenumit të Kuvendit, duke e shpallur në mënyrë arbitrare dhe dashakeqe nismën si jo të rregullt”, bëhet e ditur në kumtesë.
Me këtë, sipas partisë E majta, “veprim të jashtëligjshëm”, kryetari i kuvendit pamundëson që “qytetarët drejtpërdrejt të deklarohen për çështje e cila është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë, në mënyrë eklatante duke e shkelur Kushtetutën dhe duke e rrezikuar sundimin e drejtësisë dhe demokracisë në Republikë!”.
“Presim që Gjykata Kushtetuese të ngrihet mbi presionet politike të pushtetit dhe të qëndrojë në mbrojtjen e rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, me çka do ta angazhojë Xhaferin që të veprojë në përputhje me detyrimet e tij kushtetuese, ligjore dhe të rregullores dhe do të mundësojë grumbullimin e 150.000 nënshkrimeve të nevojshme të qytetarëve për shpalljen e referendumit në nivel shtetëror”, shtohet në kumtesën e partisë E majta.
Burimi: zhurnal.mk