Apartament në New York dhe Tiranë, gjyqtari jep shpjegime për pasurinë

February 15, 2022
min lexim

Gjyqtari i Tiranës, Kastriot Gramshi u përball të martën më 15 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti për balancat negative të konstatuara në krijimin e pasurive si pasojë e moskonsiderimit të të ardhurave nga  aktiviteti tregtar i babait para fillimit të detyrës, si dhe për të ardhura nga puna e tij dhe e familjarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, ku ka jetuar për më shumë se një dekadë si azilant duke përfituar dhe nënshtetësinë.

Gramshi u vlerësua pozitivisht për figurën, ndërsa për disa gjetje për profesionalizmin lidhur me tejkalim të afateve të gjykimit argumentoi se gjithçka kishte ndodhur për shkaqe objektive të pashmangshme dhe dorëzoi si prova dosjet e çështjeve në fjalë.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Gramshi po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Kastriot Gramshi e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 1999 në Shkodër dhe në vitin 2004 është liruar nga detyra me kërkesën e tij. Ai ka punuar si pedagog i së drejtës penale në SHBA përpara se të kthehej në Shqipëri dhe të riniste karrierën si gjyqtar në vitin 2014. Gramshi punon prej 7 vitesh pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Balancat negative

Komisioni konstaton pamundësi financiare për dy apartamente ku gjyqtari Gramshi është bashkëpronar me pjesë takuese 50% – një të blerë së bashku me të vëllanë në vitin 2012 në New York në SHBA kundrejt vlerës 290 mijë USD dhe tjetrin në Tiranë në vitin 2016 në bashkëpronësi me babanë në shumën 48 mijë USD.

Si burime krijimi për këto pasuri subjekti ka deklaruar të ardhurat nga aktiviteti tregtar i babait në periudhën 1992-1999 përpara se të fillonte punë si gjyqtar dhe të ardhura nga puna në SHBA dhe kredi të marrë atje para riemërimit në Tiranë në 2014-ën.

Komisioni i ka kaluar barrë prove gjyqtarit Gramshi për apartamentin e blerë në Neë York në vitin 2012 për deklarim të pasaktë të shumës së kredisë dhe për pamjaftueshmëri financiare. Sipas Shulit, subjekti ka deklaruar se për apartamentin kanë paguar së bashku me vëllanë një këst fillestar në shumën 29 mijë USD dhe pjesën tjetër prej 261 mijë USD e kanë marrë kredi.

Por, nga hetimi i KPK ka rezultuar se kredia e disbursuar ka qenë në vlerën 217 mijë USD dhe nga analiza financiare paraprake është konstatuar se subjekti dhe i vëllai nuk kanë pasur mundësi për pagesën e pjesës së tjetër të çmimit të apartamentit në vlerën 73 mijë USD.

Gramshi këmbënguli se në vitin 2014 kur kishte rifilluar detyrën e kishte deklaruar kredinë në shumën 217 mijë USD, ndërsa kishte kuptuar se kështu ishte e qartë se pagesa për vlerën tjetër. “Në asnjë rast nuk ka mosdeklarim të kësaj pagese apo fshehje”, theksoi subjekti dhe vërejti se çdo e ardhur në SHBA prej vitit 2003 e në vijim ishte certifikuar çdo vit nga ana tatimore.

Gramshi ka deklaruar të ardhura mujore 1700 USD të përfituara nga qiraja e apartamentit në Neë York nga viti 2015 e në vijim. Sipas KPK, ai i ka deklaruar rregullisht këto të ardhura si burime për investime dhe shpenzime të kryera në vite. Shuli deklaroi se Gramshit i është kaluar barrë prove lidhur me këto të ardhura, pasi nuk është vërtetuar pagesa e detyrimeve për periudhën 2015-2016. “Edhe për periudhën 2019-2020 janë të paqarta pagesat e detyrimeve”, deklaroi Shuli.

Subjekti e kundërshtoi dhe këtë gjetje duke sqaruar se për kryerjen e deklarimit të të ardhurave në SHBA, ai dhe familjarët kishin pajtuar një eksperte kontabël. Ai sqaroi se kontabilistja kishte gabuar duke moskryer deklarimet e të ardhurave nga qiraja e apartamentit në Neë York për vitet 2015-2016, por më pas e kishte amenduar.

Duke ju referuar legjislacionit në SHBA, subjekti shpjegoi se për shkak se të ardhurat e përfituara nga qiraja nuk e arrijnë vlerën e të ardhurave të tatueshme, edhe pas amendimit sërish ato nuk janë tatuar.

Komisioni konstatoi balanca negative të konsiderueshme për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 63.5 m2 në Tiranë në vitin 2016 kundrejt shumës 48 mijë euro, në bashkëpronësi me të atin. Si burime krijimi të kësaj pasurie Gramshi ka deklaruar 13 mijë euro të paguara prej tij, nga të cilat 12 mijë USD i janë dhuruar prej babait në vitin 2003 dhe pjesa tjetër nga kursimet prej punës si gjyqtar – si dhe shumën 35 mijë euro të paguara nga i ati.

Si burime të shumave 35 mijë euro të paguara nga babai dhe 12 mijë USD të dhëna po prej tij, gjyqtari Gramshi ka deklaruar të ardhurat e krijuara nga i ati prej aktivitetit tregtar në fushën e shitjes së karburanteve në periudhën 1992-1999.

Relatorja Shuli u shpreh se subjekti nuk ka aritur të provojë me dokumentacion ligjor të ardhurat e përfituara dhe pagesën e detyrimeve tatimore dhe për këtë arsye vlerat 35 mijë euro dhe 12 mijë USD nuk janë konsiderur në analizën financiare. Por ajo sqaroi se subjekti kishte dorëzuar dokumentacion lidhur me depozita të disponuara nga babai në vitin 1996 në shumën totale 20 milionë lekë, nga të cilat kishte përfituar interesa dhe rreth 25 mijë USD.

Lidhur me moskonsiderimin e këtyre të ardhurave, Gramshi këmbënguli se gjendej në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentet e kërkuara. Ai vërejti se edhe institucionet shtetërore përkatëse kanë kthyer përgjigje se nuk disponojnë dokumente për periudhën para viteve 2000 dhe theksoi se në këtë rast dhe autoritet publike gjendeshin në kushtet e pamundësisë objektive për të dhënë dokumentet që vërtetonin pagesën e detyrimeve tatimore.

Gjyqtari Gramshi vërejti se kishte provuar me dokumentacion bankar se babai kishte disponuar depozita me vlerë 20 milionë lekë në vitin 1996 që i kishte tërhequr atëherë së bashku me interesat në shumën rreth 25 mijë USD për shkak të probleme të shfaqura në ish-firmat piramidale dhe se i kishte depozituar në llogari të tjera. “Janë veprime bankare që kanë lënë gjurmë dhe jam me fat që i kam gjetur. Familjarët nuk kanë pasur asnjë lloj detyrimi për të ruajtur një dokumentacion të tillë pas një afati të caktuar. Ata nuk gëzonin atëherë statusin e personit të lidhur”, argumentoi subjekti.

Për investimet e kryera për rikonstruksionin dhe arredimin e apartamentit në shumën rreth 3 milionë lekë, Gramshi ka deklaruar si burime 20 mijë USD nga kursimet e tij dhe 10 mijë USD kursimet e babait.

Për një gjendje cash në shumën 4800 USD të përdorur për këto investime, Gramshi ka deklaruar si burim të ardhurat nga qiraja e banesës në Neë York, por dhe në këtë rast Komisioni nuk e ka konsideruar këtë burim.

Ndaj gjyqtarit Gramshi ka mbërritur një denoncim në KPK ku pretendohet se ai ka kryer ndërtim pa leje në apartamentin në Tiranë. Subjekti deklaroi në seancë se denoncimi ishte kryer nga një person i proceduar ndaj të cilit kishte caktuar masat e sigurimit. Ai sqaroi se leja e ndërtimit ishte kërkuar në 2016-ën, ndërsa punimet kishin filluar në vitin 2017 kur dhe kishin përfunduar.

Po ashtu, Gramshi kundërshtoi konstatimin e KPK-së se ishte trajtuar me çmim preferencial në blerjen e apartamentit. Sujekti argumentoi se që shtëpia të bëhej e banueshme ishte nevojitur edhe rikonstruksioni dhe sipas tij çmimi përfundimtar i apartamentit është më i lartë se ai i zonës ku gjendet.

Pamundësi është konstatuar dhe për blerjen e një autoveture tip BMË në SHBA në vitin 2005, por subjekti e ka kundërshtuar dhe këtë gjetje duke shpjeguar se në vitin 2003 kanë mbërritur atje me rreth 20 mijë USD.

Gramshi argumentoi në seancë se ai dhe familjarët kishin shkuar me vizë në SHBA dhe sipas tij ishte kusht në atë kohë që secili duhej të kishte rreth 3000 USD me vete. Ai shtoi se kishin punuar gjatë viteve 2003 dhe 2004 kur nuk ishin pajisur ende me dokumente dhe argumentoi se legjislacioni në SHBA lejon deklarimin e të ardhurave dhe pagesën e detyrimeve edhe për emigrantët e paregjistruar.

Sipas Komisionit, është konstatuar pamjaftueshmëri financiare dhe për krijimin e tre depozitave në SHBA me burim nga puna në vite dhe të ardhurat nga qiraja e apartamentit.

Në seancë u evidentua se gjyqtari Gramshi rezulton aksioner në dy shoqëri, ku në njërën zotëron 25 % të kuotave dhe në tjetër 50%. Sipas Shulit, një prej shoqërive rezulton me status pasiv që prej vitit 2011, ndërsa tjetra në 2014-ën, rreth tre muaj pasi subjekti kishte filluar detyrën.

Gjyqtari Gramshi sqaroi se këto shoqëri ishin hapur në kohën kur ai jetonte në SHBA dhe nuk punonte si gjyqtar. Ai theksoi se këto subjekte nuk kishin pasur asnjëherë fitime dhe se nuk kishte nënshkruar asnjë dokument në cilësinë e ortakut. Sipas subjektit, kishte qenë e pamundur që të kryhej çregjistrimi i këtyre aktiviteteve pasi ortakët jetonin jashtë shtetit.

Në përfundim të shpjegimeve për pasurinë, Gramshi kërkoi që të rishikohej analiza financiare duke e konsideruar të gabuar. Ai kërkoi që të konsideroheshin të ardhurat nga qiraja; të ardhurat e babait nga pensioni i parakohshëm; rimbursimi i taksave për çdo vit; si dhe të uleshin shpenzimet e jetesës sipas anëtarëve të familjes.

Azil për shkak të “presioneve”

Bazuar në informacionet që i janë përcjellë Komisionit nga ONM, ka rezultuar se në vitin 2004 Gramshi ka filluar procedurat si azilkërkues në SHBA. Subjekti ka shpjeguar gjatë hetimit se arsyeja reale e largimit nga detyra kishte qenë refuzimi i tij për të dhënë vendime nën presion. Shuli pohoi se Gramshi ka sqaruar se presionet i janë ushtruar babait të tij dhe për këtë arsye kanë vendosur që të largohen të gjithë.

Gramshi u pyet gjtë seancës nga Komisioni dhe vëzhguesja Ermenkova lidhur me kërcënimet apo presionet konkrete, por ai refuzoi të jepte më shumë detaje duke sjellë në vëmendje se legjislacioni në SHBA i jep këtë të drejtë.

Sipas tij, kishte qenë sjellja e kriminelëve që e kishte detyruar të largohej, pasi kishte pasur tentativa të ushtrohej ndikim përmes familjarëve. Gramshi solli në vëmendje se në SHBA kishte fituar azilin dhe në vijim nënshtetësinë.

Në përfundim të seancës, gjyqtari Kastriot Gramshi i konsideroi të plota dhe shteruese shpjegimet dhe provat e tij dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK Njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 21 shkurt, në orën 09:45.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Blinken: Nevojitet ulje e verifikueshme dhe kuptimplotë e tensioneve nga ana e Rusisë

Story i radhës

Reforma Territoriale, Basha: Mundësi e jashtëzakonshme për të vendosur qeverisjen vendore në shërbim të njerëzve

Të fundit nga

Zemra e Trump-it papritmas bën TikTok

„Sa i përket TikTok-ut, ne do ta ndalojmë atë në SHBA. Unë kam këtë fuqi. Mund ta bëj me një dekret presidencial.“ – Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump (78), në
ShkoLartë