Kreut të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së po i kërkohet largimi nga detyra, pasi numri i kalimeve të paligjshme kufitare u rrit në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë brenda një viti fiskal, sipas dy burimeve që kanë njohuri për situatën.
Chris Magnusit, i cili u konfirmua nga Senati në këtë funksion para më pak se një viti, i është thënë të japë dorëheqjen ose do të pushohej nga puna në krye të agjencisë më të madhe të zbatimit të ligjit në vend, njofton Associated Press që citon dy burimet që nuk u identifikuan, pasi nuk ishin të autorizuara të flisnin publikisht për këtë.
Sipas Associated Press, kjo është pjesë e një ndryshimi më të madh që pritet në Sigurinë Kombëtare, ndërsa zyrtarët kufitarë përpiqen të menaxhojnë një valë migrantësh gjithnjë në rritje.
Në vitin fiskal që përfundoi më 30 shtator, migrantët u ndaluan 2.38 milionë herë, 37% më shumë se një vit më parë, sipas shifrave të publikuara rishtazi. Totali vjetor kaloi 2 milionë për herë të parë në gusht dhe është më shumë se dyfishi i nivelit më të lartë gjatë presidencës së Donald Trumpit, në vitin 2019.
Brandon Judd, presidenti i Këshillit Kombëtar të Patrullës Kufitare, konfirmoi se zoti Magnus po largohej.
Los Angeles Times ishte e para që raportoi për ultimatumin. Në një deklaratë për këtë gazetë, zoti Magnus tha se i ishte kërkuar nga Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, të largohej ose do të pushohej nga puna. Ai tha se nuk do të tërhiqej duke mbrojtur të arriturat e punës së tij.
As Dogana dhe Mbrojtja Kufitare dhe as Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment./VOA