Në kuadër të kalendarit të aktiviteteve për vitin 2025, Eurogoma Racing Team dhe Federata e Auto Sportit të Kosovës (FASK) kanë qenë të angazhuara për zhvillimin e garave të radhës në disiplinën Drag Race.
Megjithatë, përballë disa sfidave infrastrukturore dhe shqetësimeve të krijuara gjatë garës së parë të sezonit, është marrë vendimi për të anuluar garën e planifikuar për muajin qershor.
“Eurogoma Racing Team si bashkorganizator me Federatën e Auto Sportit të Kosovës, njofton dashamirët e disiplinës Drag Race, se gara e dytë, e paraparë për 21 e 22 qershor nuk do të mbahet. Ky vendim është marrë për shkak të kushteve të papërshtatshme infrastrukturore dhe vështirësive në organizim gjatë garës së parë, e cila u mbajt më 3 e 4 maj, por edhe sjellja jo sportive dy garuesve. Veprimi i tyre, e sidomos reagimi i një numri të tifozëve, është absolutisht e papranueshme”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga FASK.
“Përkundër angazhimit tonë maksimal dhe përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve infrastrukturore, është e qartë se persona të pandërgjegjshëm janë në gjendje të prishin imazhin e garës dhe të pengojnë zhvillimin e auto sportit. Prandaj, anulimi i garës së qershorit le të shërbejë si reflektim për të gjithë ne, që institucionet dhe individët të japin kontributin e tyre, në mënyrë që në të ardhmen organizimet të jenë më të mira dhe të shmangim problemet eventuale. Ndërsa, do t’u njoftojmë me kohë për garat e parapara të mbahen në gusht e tetor, varësisht nga përmirësimet që do të arrijmë t’i bëjmë deri atëherë.”, thuhet në fund të njoftimit.
Ky njoftim zyrtar ka për qëllim të informojë publikun dhe të nxisë një reflektim të përgjithshëm mbi rëndësinë e organizimit të qëndrueshëm dhe mbështetjes së sportit automobilistik në vend.
KosovaPress
Burimi: botasot.info