Antonio Conte i ka thurur elozhe Interit për mënyrën se si ka luajtur kundër Mançester Sitit dhe karakterit që tregoi.
Numri një i Napolit ka folur përpara ndeshjes kundër Juventusit duke marrë shembull zikaltrit si një ekip që sakrifikon në fushën e lojës.
“Në futboll duhet që të përshtatesh me kundërshtarin dhe të alternosh momentet kur sulmon dhe ato të tjerat kur mbrohesh. Interi ka bërë një ndeshje të madhe ndaj Sitit.
U treguan një skuadër me S të madhe. Kishin ekuilibër dhe dëshirë për të fituar në një prej stadiumeve më të vështira”, tha Konte.
Ai më tej u ndal edhe te sfida kundër bardhezinjve, ku do të përballet me të shkuarën.
“Historia ime flet qartë. Kam qëndruar 13 vite te Juventusi si lojtar, kam qenë kapiten i kësaj skuadre për shumë vite dhe kam fituar praktikisht gjithçka. Unë jam pjesë e historisë së Juventusit. Nuk mund ta harroj. Po ashtu kam qenë trajner për 3 vite.
Tani më pëlqen që të stërvis një skuadër si Napoli. Në Torino do të përjetoj një emocion të madh, por sigurisht që do të shkojmë aty për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Antonio Conte.
Burimi: botasot.info