Antisemitizmi nuk do të zhduket vetvetiu

min lexim

Me rastin e pesëvjetorit të sulmit në sinagogën në Halle, kryeministri i landit Haseloff paralajmëroi për rritje të antisemitizmit dhe terrorizmit të krahut të djathtë. Shoqëria duhet të reagojë, tha ai.

Zhvillimi i strukturave politike në Gjermani dhe në mbarë Evropën më shqetëson, tha në një intervistë kryeministri i landit Saksonia-Anhalt, Reiner Haseloff (CDU), me rastin e pesëvjetorit nga sulmi në sinagogën në Halle. Haseloff u shpreh për programet e shërbimit publik gjerman, MDR (Mitteldeutscher Rundfunk), se ekstremizmi i djathtë dhe antisemitizmi janë në rritje.

Haseloff vëren se deklaratat ekstremiste të krahut të djathtë mund të dëgjohen kryesisht nga parlamentarët që angazhohen për idetë e djathta me pikëpamjet e tyre politike dhe se kjo përfaqëson “një sfidë për demokracinë tonë liberale”.

Urrejtja gjithnjë e më e shpeshtë ndaj hebrenjve në Gjermani

Ai shprehu gjithashtu shqetësim për rritjen e antisemitizmit në Gjermani. Në të njëjtën kohë, gratë dhe burrat hebrenj janë një “pjesë mjaft normale e popullsisë sonë” dhe kanë qenë gjithmonë, vëren Haseloff. Njëkohësisht ai i dërgoi një mesazh gjithë shoqërisë që të ketë kujdes me këto ide që në familje, sepse atje lindin edhe idetë e tilla. Të gjithë duhet të përfshihen për zgjidhjen e problemit, sepse nuk do të zhduket vetvetiu, thekson kryeministri i landit.

Të dielën, Zyra e OFEK-ut për Këshillim në Rastet e Antisemitizmit njoftoi se që nga sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit në vitin e kaluar, ka marrë pesë herë më shumë pyetje nga e gjithë Gjermania për mbrojtje dhe sqarime. Përfaqësuesit e OFEK-ut flasin për një “ndryshim radikal themelor antisemitist”.

Sulm antisemitist në Halle

Me 9 tetor është shënuar pesëvjetori nga sulmi i motivuar antisemitst në sinagogën në qytetin Halle. Ekstremisti i djathtë, Stephan B. më pas donte të vriste 52 burra dhe gra hebreje që po festonin festën më të madhe hebreje, Yom Kippur, në atë vend kulti. Ai nuk arriti të hapte derën e mbyllur dhe qëlloi një kalimtar të rastësishëm që e pyeti se çfarë po bënte, e pak më vonë qëlloi edhe një mysafir në një restorant turk aty pranë.

Duke ikur nga policia, ai tentoi të vriste një emigrant dhe qëlloi një çift të martuar. Për shkak të këtyre krimeve antisemite dhe me motive racore, Stephan B. u dënua me burgim të përjetshëm në fund të vitit 2020.

“Ishte jo vetëm momenti më i errët në jetën time politike, por edhe në jetën time në përgjithësi”, kujton Haseloff atë ditë sulmi në sinagogë, sepse familja e tij ka një marrëdhënie të veçantë me Izraelin. Siç tha ai në intervistën me MDR, fëmijët dhe nipërit e tij qëndruan me një grup të krishterë në Jerusalem për të përjetuar festimin e Yom Kippur atje dhe për të vizituar monumentet historike “që na bashkojnë ne të krishterët dhe hebrenjtë”.

Haseloff thekson se për të Holokausti ishte rezultat i “zhvillimit antisemitist dhe pjesërisht racist të një kombi” gjatë disa shekujve. Por sipas tij, nuk duhet të supozohet automatikisht se një gjë e tillë “nuk mundet kurrë të përsëritet”./DW

Burimi: botasot.info

Story i mëparshëm

Vranësira e rreze dielli, vijon periudhë e motit të qëndrueshëm dhe relativisht të ngrohtë në Maqedoni

Story i radhës

Volkswagen prezanton modelin Tayron me shtatë ulëse

Të fundit nga