Ansambli “Ibe Palikuqi” shkëlqeu në natën e fundit të festivalit ndërkombëtar në Bodrum, duke përfaqësuar denjësisht kulturën shqiptare dhe duke elektrizuar publikun me vallen tradicionale të Dibrës.
Në ditën e tretë dhe përmbyllëse të festivalit, me një ceremoni të organizuar nga ansambli vendas për të shënuar ardhjen e verës, “Ibe Palikuqi” u prezantua si surpriza e mbrëmjes nga vetë udhëheqësi i ceremonisë.
Valltarët shqiptarë u duartrokitën disa herë gjatë interpretimit dinjitoz të valles “Dibra”, që u mirëprit me entuziazëm nga publiku. Ndërsa përmbyllja madhështore e festivalit iu besua pikërisht këtij ansambli, që solli në skenë vallen “Mozaiku”. Emocionet ishin të mëdha, e dëshmuar nga reagimi i ngrohtë i të pranishmëve, të cilët regjistronin momente me video dhe fotografi.
Në fund të performancës, kryetari i Ansamblit “Ibe Palikuqi”, z. Vebi Amza, u shpreh se ishte një nder dhe kënaqësi e veçantë të përfaqësonin Shqipërinë në këtë festival ndërkombëtar. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes popullit shqiptar dhe atij turk, duke vënë në dukje se ngjashmëritë në tradita dhe kulturë janë një urë miqësie e qëndrueshme.
Festivali në Bodrum shënon një moment historik për “Ibe Palikuqin”, që bëhet ansambli i parë shqiptar që prezanton trashëgiminë kulturore shqiptare në këtë qytet turistik. Me këtë paraqitje, ansambli vazhdon të mbajë epitetin tashmë të njohur: “Shkollë e Kulturës Shqiptare”.