Pas paraqitjeve të suksesshme në festivalet ndërkombëtare në Dubai dhe Pamukkale të Turqisë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Ibe Palikuqi” është nisur sot drejt Bodrumit, ku do të marrë pjesë në një tjetër festival ndërkombëtar me renome.
Përfaqësimet dinjitoze dhe profesionale të ansamblit në skenat ndërkombëtare kanë bërë që ftesat për pjesëmarrje në evente të ngjashme të rriten ndjeshëm. Me përgatitje të palodhshme dhe energji të pashtershme, valltarët e “Ibe Palikuqi”-t janë të vendosur ta përçojnë me krenari dhe përkushtim kulturën shqiptare përmes valles dhe traditës popullore.
“Gjithnjë e më shumë po dëshmojmë se jemi një ‘Shkollë e Kulturës Shqiptare’,” theksojnë përfaqësuesit e ansamblit, duke shtuar se pjesëmarrjet e tyre ndërkombëtare janë një mundësi e artë për promovimin e identitetit tonë kulturor në botë.