79% të qytetarëve e mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në BE, që është rritje për 6% nga tetori i vitit 2022. Këtë e tregoi anketa e fundit e Institutit republikan ndërkombëtarë (IRI) i zbatuar nga Qendra për hulumtime anketuese – Brima, nga 8 prilli e deri më 4 maj të vitit 2023, përmes intervistës tet a tet të zbatuar me 1204 persona. Vetëm 1 përqind e qytetarëve kanë besim të plotë në sistemin gjyqësorë dhe prokurorinë, vitin e kaluar kjo përqindje ishte 4, rënia e perceptimit publik për gjyqësorin vazhdimisht është në nivel të ulët. Gjithsej 18% kanë thënë se kanë besim parcial në gjyqësorë, ndërsa 17% në prokurori, që do të thotë se më shumë se 80% e popullatës nuk beson ose ka dyshime në shpërndarjen e drejtësisë. Gjyqësori është sektori me besim më të ulët, por jo edhe problemi më i madh në shoqëri, tregon anketa. Të pyetur se cilët janë problemet më serioze me të cilat përballet shteti, për rreth 25% të të anketuarve zgjedhja e parë apo e dytë ka qenë varfëria dhe rritja e çmimeve. Vetëm 5% janë shprehur se sundimi, përkatësisht mos sundimi i së drejtës është një ndër çështjet “më të nxehta” në vendin tonë. Anketa ka treguar se 56% e qytetarëve vlerësojnë se shteti po lëviz në drejtim të gabuar, që paraqet përmirësim prej 2% në krahasim me tetorin e vitit të kaluar.
Burimi: TV21